Ekaterina Trendafilova është riemëruar kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për katër vitet e ardhshme.
Autoriteti Emërues, ambasadori Lars-Gunnar Wigemark, riemëroi gjykatësen Ekaterina Trendafilova si Kryetare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) edhe për katër vjet, emërim që hyn në fuqi nga data 15 dhjetor 2020, në pajtim me nenin 30(4) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mandati aktual i Kryetare Trendafilovës përfundon më 14 dhjetor 2020.
Kryetare Trendafilova shprehu mirënjohjen për “besimin që i është dhënë për të vijuar t’u shërbejë Dhomave të Specializuara të Kosovës të cilat kanë hyrë në një fazë të re dhe të rëndësishme me nisjen e proceseve gjyqësore”.
Trendafilova deklaroi se ka besim që proceset do të kryhen në mënyrë të mbrojtur, të pavarur, të paanshme, të drejtë dhe efikase, në pajtim me mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015, të amendamentit kushtetues dhe legjislacionit për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.l.n.