Andrey Kortunov flet mbi çështjet ku Rusia dhe SHBA-ja mund të punojnë së bashku si dhe për ato që mund të çojnë vetëm në “diskutim të kotë”.
Eksperti rus Andrey Kortunov thotë se nëse presidentët e Rusisë dhe SHBA-së arrijnë të bien dakord mbi çështjet e kontrollit të armëve, stabilitetit strategjik, disa pikave të konflikteve rajonale dhe të ndalojnë “luftën e ambasadave”, takimi mund të konsiderohet i suksesshëm.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Kortunov, kreu i Këshillit rus të Çështjeve Ndërkombëtare, një Think-Tank akademik dhe diplomatik me seli në Moskë i krijuar me një dekret presidencial, tha se rezultati i takimit të ardhshëm midis Vladimir Putinit dhe Joe Bidenit varet nga mënyra se si të dy presidentët do të jenë në gjendje të përballen me vështirësitë e pyetjeve të diskutueshme.
Sipas Kortunovit, fakti që takimi do të ndodh është pozitiv në vetvete, sepse komunikimet e krerëve të shteteve historikisht kanë përpiluar marrëdhëniet ruso-amerikane.
Kortunov tha se sa i përket axhendës së takimit, për çështjen e kontrollit të armëve ekziston shansi më i mirë të arrihet marrëveshje, së bashku me hapin e saj të ardhshëm, çështjet e stabilitetit strategjik, përfshirë çështjen e vendosjes së armëve bërthamore në Evropë, sigurinë kibernetike, militarizimin e hapësirës.
“Është e qartë se asnjë marrëveshje (zyrtare) nuk do të arrihet, nuk kishte kohë për përgatitje të duhur. Por, drita e gjelbër mund të jepet për të filluar konsultimet, negociatat midis diplomatëve, ekspertëve, personelit ushtarak dhe zyrtarëve. Nëse fillon një punë e tillë, kjo veçse do të jetë një arritje”, tha ai.
Çështjet me interes të përbashkët për të cilat Rusia dhe SHBA mund të bëjnë kompromis
Eksperti thotë se presidentët Putin dhe Biden mund të bëjnë kompromis për disa çështje rajonale, në veçanti, për korridoret humanitare në Siri. Ai thotë se ka dallime, por në parim, është e mundur të gjendet një zgjidhje.
Kortunov tha se pozicionet e Moskës dhe Washingtonit janë të ngjashme në lidhje me Korenë e Veriut dhe me disa ndryshime në Afganistan ndërsa të dy vendet kanë bashkëpunim të mirë në Arktik.
Ai gjithashtu shprehet se të gjithë do të dëshironin që puna normale e misioneve diplomatike të rifillonte si rezultat i takimit, ambasadorët të kthehen në vendet e tyre të punës dhe shërbimet konsullore të rikthehen në mënyrë që qytetarët rusë të mund të merrnin vizat amerikane.
“Kjo pjesë (puna normale e ambasadave) është mjaft rutinë, por e rëndësishme për qytetarët e zakonshëm rusë dhe amerikanë”, tha eksperti.
Ai gjithashtu tha se programi maksimal ku Rusia dhe SHBA-ja mund të kenë njëfarë përparimi janë kontrolli i armëve, stabiliteti global, konfliktet rajonale dhe normalizimi i punës së shërbimeve diplomatike.
Çështje të diskutueshme midis Moskës dhe Washingtonit
“Të presësh që Putin dhe Biden do të bien dakord për Ukrainën ose se do të ketë unitet të mendimit mbi Bjellorusinë, ose që Putini do të perceptojë në mënyrë të favorshme mësimet e Bidenit mbi të drejtat e njeriut, është joreale. Këto çështje ka më shumë të ngjarë të krijojnë rreziqe. Nëse Biden fillon të ligjërojë, ai mund të marrë një përgjigje të ashpër dhe kjo do të rrezikojë marrëveshjet për çështje të tjera, më pak të rrezikshme”, tha ai.
Pyetjet e diskutueshme do të preken gjithsesi pasi Biden duhet të raportojë në kthimin e tij në Washington në lidhje me takimin e tij me Putinin dhe ai mund të përballet me kritika të ashpra nëse nuk i ngre ato çështje në takim, tha eksperti.
“Këtu çështja është në nuancat. Biden mund ta kryejë këtë program të detyrueshëm, por jo të fiksohet, duke e kuptuar se këtu ai nuk do të arrijë asgjë. Dhe Putini mund ta dëgjojë këtë program dhe gjithashtu të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme. Natyrisht, ai do të thotë që ne nuk do të lejojmë ndërhyrje në punët tona të brendshme, që ne insistojmë që Kievi të zbatojë Marrëveshjen e Minskut. Ai do të thotë të gjitha fjalët e duhura dhe të nevojshme. Por, nëse ata nuk përfshihen në një diskutim të pakuptimtë sepse kjo nuk do të sjellë përfitime për askënd, atëherë mund të ketë një shans që kjo pjesë e bisedës të mos transferohet në pjesën tjetër. Epo, nëse jo, atëherë takimi dështoi”, tha eksperti.
Kortunov pret një kuptim të kufijve të fleksibilitetit nga të dy palët, duke marrë parasysh që të dy ata janë politikanë me përvojë.
Biden ka nevojë për mbështetje të brendshme për të zbatuar politikën e tij ndaj Rusisë
Por, edhe nëse takimi kalon normalisht, do të duhen disa përpjekje nga ana e Bidenit për të zbatuar marrëveshjet, tha Kortunov.
“(Ish presidenti amerikan Donald) Trump doli të jetë një president i dobët në kuptimin që ai nuk mund të siguronte mbështetje të brendshme për iniciativat e tij. Gjithçka që ai tha u bllokua në Washington. Është ende e vështirë të thuash se sa i fortë do të jetë presidenti Biden sepse është e vështirë për të. Ai gjithashtu ka opozitën. Republikanët e kritikojnë atë dhe ka një krah reformash në Partinë Demokratike që është i kujdesshëm ndaj Bidenit”, tha ai.
Nëse qëndrimi i Bidenit për të lehtësuar tensionet me Rusinë dështon, atëherë do të ketë një pauzë të gjatë të mbushur me përkeqësime të mëtejshme, e cila nuk ka kufij dhe krijon rreziqe për të dy palët, paralajmëron eksperti.
Nëse ai ka sukses, atëherë marrëdhëniet mund të fillojnë të ndryshojnë për më të mirën, megjithëse një përparim është vështirë i mundshëm, shtoi ai.
Sipas axhendës zyrtare të takimit në Gjenevë midis Putinit dhe Bidenit, të dy presidentët do të diskutojnë statusin aktual dhe perspektivat e marrëdhënieve dypalëshe, problemet e stabilitetit strategjik si dhe çështjet aktuale në axhendën ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe zgjidhjes së konflikteve rajonale.