Në fund të këtij muaji do të fillojë punën Spitali i Pediatrisë që është ndërtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga Emiratet e Bashkuara.
Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në një takim që pati sot me ambasadoren e Emirateve të Bashkuara me seli në Podgoricë, Nabila Abdelaziz Nasir Saeed Alshamsi, me të cilën biseduan për bashkëpunimin mes dy shteteve në fushën e shëndetësisë.
Latifi e ambasadoren për kontributin e vazhdueshëm të shtetit të saj në fushën e shëndetësisë në Kosovë, me theks të veçantë në ndërtimin e spitalit të fëmijëve në Prishtinë.
Latifi përmendi se prioritet për të dhe Ministrinë e Shëndetësisë është edhe krijimi i Qendrës së Traumës dhe qendrave tjera të ekselencës (sikurse është ai për transplantimin e veshkës), duke shpresuar kështu në bashkëpunim të vazhdueshëm edhe me Emiratet e Bashkuara si në krijimin e infrastrukturës së nevojshme ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale për këto qendra.
Alshamsi premtoi se Emiratet e Bashkuara do të jenë gjithmonë të gatshme për bashkëpunim në shumë projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimin e përvojave mes mjekëve të dyjave vendeve.
Ajo ftoi ministrin për vizitë në Emiratet e Bashkuara, ku me homologun e tij do t’i shpalosin projektet e përbashkëta.
Po ashtu, ambasadorja theksoi se do të jetë mbështetëse e fuqishme në vazhdimësi e të gjitha ideve dhe projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.