Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, ka bërë sot paraqitjen e tij të radhës në mbrojtje të klientit të tij, duke paraqitur para të pranishmëve qëndrimin e prerë të tyre.
Emmerson ka deklaruar se një prej temave që del në pah në parashtrimet e prokurorisë është ajo se për arsye të të qenit besnik ndaj të akuzuarve, pretendohet se nuk mund të jepen emrat e disa dëshmitarëve, përcjell kk.
Sipas tij, kjo do të thotë se duhet të ketë shumë prej tyre që janë shumë të besueshëm e nuk do të jenë në gjendje të pranojnë një deklaratë të mëparshme.
Mbrojtja e Veselit ia kujtoi Gjykatës Speciale se klienti i tij, qysh në ditën e dërgimit në Hagë dhe në seancën e parë të tij, kishte bërë thirrje për bashkëpunim me këtë institucion.
”Zotëri [Kadri] Veseli ka dhënë mesazh të fortë, të qartë për të gjithë që ‘të gjithë duhet të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara, se askush nuk duhet të mendojë se mosbashkëpunimi është një kauzë që ndihmon të akuzuarit‘. Ai më tej ka kërkuar specifikisht të theksojë këtë pjesë të deklaratës që e ka bërë në momentin e arrestimit të tij dhe në seancën e parë. Ai ka kërkuar që të gjithë të jenë bashkëpunues”, u shpreh Emmerson.
Ai po ashtu kujtoi se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar, por një lëvizje popullore.
”UÇK-ja ishte një lëvizje e njerëzve, një përpjekje për të mbrojtur popullsinë civile, për ta mbrojtur nga aktet çnjerëzore nga forcat serbe”, theksoi mes tjerash ai.