Emri i Maqedonisë mund të ndërrohet, por çfarë fitojnë shqiptarët?

Emri i Maqedonisë mund të ndërrohet, por çfarë fitojnë shqiptarët?

Pse themi se shqiptarët e paguan shtrenjtë idenë që çështja strategjike – integrimi në NATO dhe BE – duhet të jetë prioritet, karshi interesave jetike, momentale, të përditshme të elektoratit që përfaqësojnë (shqiptarët)? Së pari, sepse ata nuk e arritën asnjërin nga qëllimet; as nuk u bënë shqiptarët të barabartë me maqedonasit e as nuk u integrua vendi në NATO dhe BE. Dhe, e dyta, përderisa ata lavjerrësin e mbajtën në kahe të kundërt të atij kombëtara, në atë strategjik, kjo solli deri te deligjitimimi, harxhimi, para elektoratit dhe zhdukja nga skena politike.

Shkruan: Rizvan Sulejmani

Çështja e emrit të shtetit është bërë top-temë ditëve të fundit në Maqedoni. Jo që nuk ka qenë edhe më parë, por tani flitet me tone optimiste, bile aty këtu se është punë e kryer. Integrimi në NATO dhe BE është vendosur në prioritetin kryesor të kësaj qeveri, kurse kjo mund të arrihet vetëm me ndërrimin e emrit të shtetit. Por, a do të kemi zgjidhje përfundimisht kësaj radhe dhe shpejt, siç pritet, për këtë nuk jam i bindur. Gjëja që më së shumti duhet të na shqetësojë është nëse bëhet fjalë vetëm për ndërrimin e emrit të shtetit ose për diçka më tepër, që mund ta vë në pikëpyetje ekzistencën e tij, stabilitetin e regjionit dhe më gjerë. Në shkrimet e mia disa herë kam paralajmëruar për dimensionet shtesë të këtij problemi dhe dëshpërimin tim për neglizhencën e shqiptarëve për sa i përket kësaj çështjeje. Në mungesë të vlerësimit të saktë se sa komplekse është kjo çështje, kam tërhequr vërejtjen dhe vazhdoj të them se ne jemi duke paguar kosto të lartë politike, por jo vetëm. Në duart e politikëbërësve është lavjerrësi politik që i ka dy skajet e fundit të saj. Një, orientimi strategjik, qëllimi i fundit ku duhet të arrihet në perspektivë, dhe dy, nevojat e përditshme ekzistenciale të qytetarëve, pa plotësimin e të cilave nuk mund të arrihet qëllimi strategjike. Në Maqedoni, veçanërisht te shqiptarët, tanimë është krijuar bindja se gjithë politika përmblidhet në një pikë – arritja e qëllimit strategjik, integrimi në NATO dhe BE.

Nën hijen e këtij angazhimi pothuajse të gjitha prioritetet e tjera të vendit, si papunësia, standardi i ulët dhe, më e keqja, emigrimi, që është rezultat i mosrealizimit të këtyre nevojave paraprake, janë lënë jashtë trajtimit. Por, harrojnë se vetëm ata që dinë ta mbajnë në balancë këtë lavjerrës, që ai të lëvizë brenda një diapazoni të stabilitetit, mund të jenë efikas dhe efektivë në plan afatshkurtër dhe në perspektivë. Çka është lavjerrësi dhe pse është aq me rëndësi? Ajo është dilema morale që e shqetëson çdo politikan që pretendon suksesin, por në të njëjtën kohë është i përgjegjshëm dhe i ruan parimet e demokracisë liberale. Në parim asnjë politikan nuk mund të jetë moralisht i pastër, pasi ai duhet të zgjedhë ndërmjet dy të këqijave: t’i tradhtojë interesat kombëtare (të popullatës që e përfaqëson) apo interesat strategjike, të drejtën ndërkombëtare, në rastin tonë integrimin në NATO dhe BE? Politikanë më të suksesshëm dhe moralisht më të pastër janë ata që i mbajnë të dyja në ekuilibër.

Të analizojmë pak situatën në Maqedoni, e cila lidhet me çështjen e emrit të deklaruar për interes strategjik me konsensus ndërpartiak e ndëretnik, që për qëllim të fundit ka integrimin në NATO dhe BE. Të shohim si ka lëvizur lavjerrësi politik te partitë politike në Maqedoni, në perioda të ndryshme kohore.

Nëse për qëllimin strategjik thamë se nuk ka dallime ndërmjet partive, kur janë në pyetje interesat kombëtare (të elektoratit që përfaqësojnë) duket qartë se partitë kanë vendosur prioritete të ndryshme. Për VMRO-DPMNE-në interes kombëtarë është identiteti i kombit, që mund të përshkruhet me arsyetimin: shteti forcohet duke u forcuar identiteti kombëtar maqedonas. Për LSDM-në interes i parë kombëtar është ruajtja e shtetit, pasi me te garantohet ekzistenca e identitetit. Te partitë politike shqiptare interes kombëtar (në kuptim shtetëror) është barazia ndëretnike (veçanërisht ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve). Rreth këtij qëllimi, që duket i përbashkët ka disa dallime të vogla, që ende nuk kanë marrë profilime të qarta ideologjike. Për BDI-në (tani me pranimin e konceptit qytetar) është barazia qytetare para ligjit ajo që shpie kah barazia ndëretnike. Kjo veçanërisht shihet nga disa eksponentë të kësaj partie, që ishin pro koalicionit me LSDM-në, e veçanërisht te disa shqiptarë që janë promotorë dhe bartës të pjesës shqiptare në LSDM. Partia e Zijadin Selës duket se vazhdon ta shtyjë idenë se barazia etnike dhe jo ajo qytetare është interes shtetëror. BESA, nga ana tjetër, edhe pse jo e profilizuar sa duhet ideologjikisht,sikur promovon idenë se interesi shtetëror arrihet duke e ruajtur dhe kultivuar traditën, vlerat familjare dhe fetare të komuniteteve dhe jo duke e bërë atomizmin (prishjen) e familjes, krijimin e kazanit të shkrirjes në emër të një shoqërie të përbashkët ose edhe ngritjen e nacionalizmit mbi të gjitha identitetet tjera, që është produkt i modernizmit dhe shtetit nacional në kohën postmoderne dhe të globalizimit.

Pse themi se shqiptarët e paguan shtrenjtë idenë që çështja strategjike – integrimi në NATO dhe BE – duhet të jetë prioritet, karshi interesave jetike, momentale, të përditshme të elektoratit që përfaqësojnë (shqiptarët)? Së pari, sepse ata nuk e arritën asnjërin nga qëllimet; as nuk u bënë shqiptarët të barabartë me maqedonasit e as nuk u integrua vendi në NATO dhe BE. Dhe, e dyta, përderisa ata lavjerrësin e mbajtën në kahe të kundërt të atij kombëtara, në atë strategjik, kjo solli deri te deligjitimimi, harxhimi, para elektoratit dhe zhdukja nga skena politike. Kështu i ndodhi PPD-së, pastaj të PDSH-së dhe tani së fundi duket se mund t’i ndodhë edhe BDI-së. Me këtë cikël lindje, rritje dhe zhdukje të partive politike shqiptare, humbet memoria kolektive partiake, ajo pak përvojë, dije dhe shkathtësi politike dhe sërish jemi në fillim. Gjatë gjithë kësaj periudhe shqiptarët nuk kishin dilemë morale se kujt duhet dhënë përparësi: nevojave ditore, të përditshme (punësimi, standardi, gjendja sociale e shqiptarëve) apo integrimeve. Ata jetuan dhe vazhdojnë të jetojnë me bindje se integrimi në NATO dhe BE është zgjidhje për të gjitha problemet, njëherë e përgjithmonë si kombëtare ashtu edhe ekonomike e sociale. Shqiptarët deklaruan se zgjidhja e çështjes shqiptare është në integrimin evropian. Në Evropën e bashkuar shqiptarët e bashkuar. Atyre nuk u intereson fare se çfarë emri do të ketë Maqedonia dhe se a mund të ekzistojë Maqedonia pa emër ose me një emër të sajuar në tavolinat diplomatike. Ata kërkojnë ndërrimin e emrit të shtetit, nëse duhet edhe me presion dhe forcë, vetëm e vetëm që procesi integrues të vazhdojë. Me një fjalë, ndërrimi i emrit pa kushte ose integrimet para barazisë kombëtare.

Te pjesa maqedonase është një storie tjetër. Në kampin e tyre politik pati zhvendosje serioze sa i përket lavjerrësit politik. Ai herë anoi kah interesi strategjik e integrimi dhe herë nga ai kombëtar, identitetar, por pati momente balance dhe lëkundej rreth një qendre stabile. Kështu, në kohën e shpalljes së pavarësisë, kur politika kryesore udhëhiqej nga Gligorovi, ai kishte prioritet shtetformimin, që e bazonte në deklarimin publik pro Perëndimit (NATO dhe BE), por kur nuk u konfrontua me Lindjen (në atë kohë sinonim për te në regjion ishte Serbia). Për ta ruajtur këtë relacion me Serbinë ai u angazhua për një pavarësi të kushtëzuar me pyetjen e referendumit, që i jepte mundësi të futet në federatë me këtë vend. Për të shprehur aspirata perëndimore ai pranoi emër të përkohshëm, kjo si parakusht për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Me këtë e ngriu çështjen e emrit ose bleu koha për ta konsoliduar shtetin. Pa marrë parasysh se Maqedoninë e deklaroj si “oazë të paqes”, në esencë ajo ishte në një “konflikt të ngrirë”, pasi as çështjet ndëretnike për stabilizim të brendshëm nuk ishin zgjidhur, as çështja e emrit për stabilizim afatgjatë dhe parakusht për integrime nuk kishte marrë epilog. Për ta ruajtur këtë situatë, ai shpalli ekuidistancë me shtetet përreth, duke vendosur shenjë barazie ndërmjet Serbisë së Millosheviqit, që bota e luftoi për gjenocid, dhe Shqipërisë e Bullgarisë si shtete të deklaruara hapur pro Evropës dhe NATO-s. Kjo do të vazhdojë bile edhe në qeverisjen e VMRO-së së Lubço Gergievskit, duke i shpallur marrëdhëniet ndëretnike si të relaksuara, kjo mbi partneritetin strategjik me PDSH-në, por nuk pati lëvizje në drejtim të zgjidhjes së emrit, siç pritej. Maqedonia vazhdoi të jetojë në një paqe të brishtë dhe pa perspektivë.

Për ta ndryshuar këtë status quo, duhej një kontekst. Ai kontekst ishte konflikti i 2001-shit. Ky konflikt, në esencë, ishte rezultat i nxjerrjes prej frigoriferi të konfliktit të ngrirë dhe lënie në diell të hapur. Si gjithmonë, kur gjërat e ngrira nxirren në ambient të hapur, ato qelben. Kjo i ndodhi edhe Maqedonisë. Por, e bukura e politikës dhe diplomacisë së efektshme është që handikapin e shndërron në përparësi: një konflikt destruktiv të shndërrohet në sinergjik. Diplomatët perëndimorë e amerikanë, të angazhuar si ndërmjetësues, e panë si mundësi për ta stabilizuar vendin brenda dhe në relacion me botën e jashtme. Për marrëdhëniet ndëretnike ofruan një zgjidhje në ndarjen e pushtetit ndërmjet komuniteteve mbi parimin powershering me një decentralizim dhe demokraci konsensuale, por shteti duhej mbetur unitar, kurse në relacion me jashtë duhej të prodhonte një identitet qytetar (mbietnik) ose “shtet pa identitet”. Kujtojmë se në versionin origjinal të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit fare nuk përmenden komunitetet, as kombet, por qytetarë dhe bashkësi, dhe mu për t’i ikur kësaj mbeti e famshmja “20%”, kjo si metaforë për identitetin e popullit shqiptar që jetonte në Maqedoni. Por, ja që në luftën për pushtet të dy partive politike Maqedonase, VMRO-DPMNE-s së Lubço Georgievskit dhe LSDM-së së BrankoCërvenkoskit, ose nën presionin të qendrave të vendosjes jashtë Maqedonisë (sipas meje, Serbisë ose edhe Rusisë) në momentin e fundit në preambulë u fut termi “kombi maqedonas” . Për t’i kënaqur ambiciet e shqiptarëve, u përdorë termi “qytetarët e R. Maqedonisë, që janë pjesë e kombit shqiptar, turk..”. Atëherë dhe sot mendoj ky është problemi kryesor. Kur them këtë, kam parasysh se kërkesat e Greqisë për zhbllokim të situatës u plotësuan me ndërrimin e neneve të kushtetutës që e rregullonin flamurin dhe pretendimet territoriale, por mbeti pa plotësuar kërkesa kryesore – ndërrimi i preambulës. Shqiptarët as nuk u kujtuan e as nuk kishin kapacitet të mendojnë për pasoja afatgjate të këtij lëshimi, sepse ishin të rrëmbyer pas idesë për integrim në NATO dhe BE. Aq më shumë kur kjo ndodhte pas intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Qeveria, pas 2001-shit posaçërisht ajo e Buçkovskit, bëri çmos që t’i lëvizë gjërat kah integrimit, bile duke harruar edhe nevojat dhe interesat e kombit (elektoratit të vet maqedonas), por pa sukses. Ai i humbi zgjedhjet përskaj faktit se e fitoj statusin e “Shtetit kandidat” për anëtarësim në BE dhe ishte i vetmi kryeministër që pati një takim në Shtëpinë e Bardhë me Xhorxh Bushin e ri. Lavjerrësi i tij politik ishte krejt në anën e interesit strategjik, integrimeve. Por, Gruevski, që përfitoj nga ky rast, në vitet e para vazhdoi të mbajë një tradite të status quos-ë, gjegjësisht ta mbajë lavjerrësin në balancë, duke e vazhduar partneritetin strategjik me PDSH-në kjo edhe me çmimin e anashkalimit të legjitimitetit të shqiptarëve dhe duke mbajtur, së paku deklarativisht, lart në agjendë integrimin në NATO. Ai, bile, për këtë qëllim si ambasador në këtë organizatë emëroj një kuadro të LSDM-së, siç ishte NanoRuzhini. Por, anashkalimi i BDI-së, që kishte legjitimitetin e shqiptarëve, i bënte tejet të paqëndrueshme marrëdhëniet ndëretnik. Pas samitit të Bukureshtit në vitin 2008, kur u bë e qartë se pa ndërrimin e emrit Maqedonia nuk do të mund të anëtarësohet në NATO, ai e ndërroj komplet strategjinë. Për të pasur stabilitet të brendshëm ndëretnik, ai e pranoi në qeveri BDI-në, që kishte legjitimitetin shqiptarëve, kurse për ta ruajtur homogjenitetin intraetnik maqedonas u përqendrua në ngritjen e një identiteti të ri etnik, të distancuar nga Beogradi dhe Sofja, gjegjësisht prejardhja sllave. Kështu kërkoi dhe tentoi të modelojë një identitet që ka prejardhjen nga Maqedonia antike e Lekës së Madh. Kjo e irritoi deri në fund Greqinë, bile edhe faktorin ndërkombëtar. Në anën tjetër BDI-ja vazhdoi ta mbajë gjallë agjendën e integrimeve, aq më shumë që pothuajse gjithmonë udhëhiqte me resorin e integrimeve. Por, biseda serioze dhe vullnet për ndërrim të emrit nuk kishte. Duke e mbajtur lavjerrësin krejt në çështjet e brendshme, nacionale, dhe duke i lënë jashtë agjendës ato strategjike, integrimet, ai e forcoi pa masë pushtetin, saqë në fund e robëroi komplet shtetin. Ndërrimi i këtij pushteti ishte i pamundshëm në këtë asimetri forcash në kampin politik maqedonas. Prandaj duhej krijuar sërish një kontekst, për të dalë nga status quo-ja.

Këtë kontekst në mënyrë direke apo indirekte, me vetëdije apo pa vetëdije (më shumë pa vetëdije) do ta krijojnë shqiptarët. Do të fillohet me vrasjet sa misterioze aq indikative, siç ishte rasti i Kushtrimit, rasti liqenit të Smillkovës e rasti i përgjimeve, që si efekt të fundit kishte jo shkatërrimin e VMRO-së, por dobësimin e saj, ndërsa mbi të gjitha shkapërderdhjen e trupit votues shqiptar, që eskaloi në rastin e Lagjes së Trimave. Këto dhe arsye të tjera sollën deri te derdhja e votave shqiptare tek LSDM-ja, për të krijuar kështu balanc politik me VMRO-në. Së fundi ndodhën edhe ngjarjet në Kuvendit të R. Maqedonisë. Nëse ndiqen me kujdes të gjitha këto raste dhe shihen pasojat, duket se shqiptarët gjithmonë paraqiten si katalizatorë të proceseve, por që në fund nuk fitojnë asgjë.

Tani kur kemi një qeveri të vetëshpallur reformatore, që kërkon të krijojë një shoqëri të përbashkët për të gjithë qytetarë dhe që deklaron se do t’i mbyllë çështjet hapura me fqinjët, veçanërisht çështjen e emrit me Greqinë, shqiptarët i aplaudojnë, e përkrahin, por kam përshtypjen se ata nuk e dinë as pse e ku më se çka do të fitojnë. Ata e shohin që hapat e para nuk premtojnë shumë për ta, por kanë shpresë, i japin kohë, e arsyetojnë, me bindje se do të bëhet mirë. Por, si? Nuk e dinë! Ata vetëm e ndjejnë në hapësirë se një dorë e zezë (në këtë rast në kontekst pozitiv) i shtynë dhe kontrollon proceset. Por, ka edhe shumë duar të tjera që përzihen e që shqiptarët nuk i shohin ose, përsëri të mpirë nga vullneti i mirë, nuk duan t’i shohin. Ndodhi një marrëveshje me Bullgarinë, por paraprakisht ndodhi edhe një “marrëveshje” tjetër – takim i kryetarëve të qeverive të Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë në Greqi. Para mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Maqedonisë dhe Bullgarisë në Strumicë (edhe vendi ka simbolik),Zaevi shkon në vizitë dyditore në Beograd. Para saj Vuçiqi i telefonon Borisovit dhe i propozon takim të trojkës në Beograd. Gjithë kjo në kohën kur flitet se çështja e emrit është para zgjidhjes. Kisha Maqedonase kërkon nga Kisha Bullgare ta pranojë në gjirin e saj. Andaj shtrohet pyetja: për çka është ndërrimi i emrit, për ta unifikuar Maqedoninë, për ta afruar me Bullgarinë apo ndoshta për ta ndarë atë?

Ku gjendet lavjerrësi politik i shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe i shqiptarëve në përgjithësi. Kam përshtypje se ata fare nuk kanë. Ai ka kaluar në duart e Zaevit dhe një dore të zezë, që e hetojmë, por edhe shumë duar të tjera përzihen e që shqiptarët nuk i shohin? Shqiptarët edhe më tutje fatin e tyre e kanë të lidhur me Amerikën dhe BE-në. Por, me cilën BE dhe Amerikë? Atë të Merkelit që përjeton krizën ma të madhe politike që nga bashkimi i Gjermanisë, atë Polonisë që ndezë zjarre si në kohën e nazizmit kundër myslimanëve dhe hebrenjve, të Orbanit, që e rrethon vendin me gjemba, të Spanjës që ka problem me Kataloninë, të Italisë, që i rrezikohet ndarja Veri-Jug dhe, më së paku, të Britanisë që ka vendosur ta braktisë BE-në? Në vazhdën e këtij konfuzioni Komisari Han thotë se ligji i gjuhës nuk është kusht për BE. Në këtë situatë kryeministrja e Serbisë çon selam “mos kërkoni të vendosim ndërmjet Evropës dhe Rusisë!”, Vuçiqi thotë se neutraliteti tyre është i palëkundur përskaj vërejtjes së Hojt Brajan Li-së që të mos rrijë në dy karrige. Kur Haradinaj kërkoj ndihmën e Amerikës në bisedime me Serbinë, zonja Mogerini e përzë prej kabineti. Trump-i është i “yni”, por ai thotë “Amerikën e kam në vend të parë, kurse për siguri duhet të paguani”. Para për pagesë nuk kemi, ushtri tonën edhe më pak, ndërsa kërkojnë ndërrimin e emrit të Maqedonisë pa kushte për të hyrë në NATO dhe BE! Emri i shtetit edhe mund të ndërrohet, por çka do të sjellë kjo? Integrim, bullgarizim apo dezintegrim të vendit, nuk e dimë! Përderisa nuk e dimë, Zoti qoftë me ne! Ne jemi të njohur si hazerder politikë: gjithë depozitat i vendosim në një vend – integrimi në NATO.

You may also like

Dyqani palestinez ndalon hyrjen e amerikanëve

Gjatë periudhës së nazizmit ishin tregtarët gjermanë ata