Për kontributin në fushën e sportit luftarak të karatesë, Ilir Meta nderon me titullin ’mjeshtër i Madh” kampionin e katërfishtë botëror në karate Enver Cakiqin, transmeton Kosova Post.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Presidenti Ilir Meta, përmes një shkrimi në Facebook, ndërsa lartëson figurën e Cakiqit si mjeshtër i madh në sportin luftarak të karatesë.
“Ndryshimet e para demokratike sollën në Shqipëri edhe sportin luftarak e të bukur të karatesë, për themelimin e masivizimin e të cilit një kontribut të rëndësishëm dha Mjeshtri Ndërkombëtar i Karatesë, Enver Cakiqi”, ka shkruar Meta në Facebook.
Meta ka shkruar se përkushtimi, pasioni dhe arritjet e Cakiqit janë shembull frymëzimi për karateistët e ardhshëm.
“Mbajtës i titullit më të lartë për shqiptarët në botë, ‘Shihan 8 Dan’, i shpallur 4 herë Kampion Bote dhe 1 herë Kampion Europe, karriera e pasur sportive, talenti, përkushtimi, pasioni dhe arritjet e tij janë shembull frymëzimi për karateistët e ardhshëm”, thekson tutje Meta.
Për më tepër Meta ka shkruar edhe për rolin dhe kontributin e Cakiqit, në anëtarësimin e Shqipërisë në Federatën Ndërkombëtare të Karatesë.
Për ndihmën e dhënë në themelimin e kësaj disipline sportive në vendin tonë, me shoqatën e parë të karatesë në vitin 1991, krijimin e Unionit Mbarëkombëtar të Arteve Marciale në vitin 1996, anëtarësimin e Shqipërisë në Federatat Ndërkombëtare të Karatesë, si dhe për rezultatet e larta të arritura, e vlerësova Enver Cakiqin me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.