Me 22 mars u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe formua qeveria e Kosovës me kryeministër, Albin Kurti.
Ndërsa me 4 prill u zgjodh edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Tashmë sfidë për qeverinë Kurti është menaxhimi i pandemisë e cila po vazhdon të rëndohet dita ditës.
Së fundmi qeveria Kurti ndërmori edhe masat e reja anti-Covid e që pritet se në këtë mënyrë të zvogëlohen rastet dhe njëkohësisht përhapja e virusit.
Në lidhje me ngjarjet e fundit në vend dhe me menaxhimin e pandemisë, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Dugolli fillimisht komentoi situatën aktuale në vend duke u shprehur që tashmë më LVV-në, vendi do të ketë një stabilitet politik i cili i ka munguar shumë kohë më parë. Ai gjithashtu u shpreh që pas fitores së tyre sfidë për ta mbetët situata pandemike e cila po vazhdon të rëndoi shëndetin e qytetarëve mirëpo edhe ekonominë e vendit.
Deputeti i LVV-së, përmendi edhe ngjarjen e fundit për të cilën u diskutua mjaft shumë, pra kalimi i ish-deputetes së PDK-së, Adelina Grainca në LVV, e që sipas tij së pari, votimi nga deputetët për presidenten është një maturi dhe pjekuri politike pasi që ky veprim eliminoi shkuarjen në zgjedhjet e dyta të jashtëzakonshme. Së dyti Dugolli thotë se LVV është e hapur për secilin deputet të cilit i cenohet liria për të vepruar dhe bashkëpunuar në subjektin e tij.
Nga ana tjetër zgjedhja e Osmani si presidente e vendit sipas Dugollit do të jetë shumë frytdhënëse për vendin pasi që pjekuria politike e presidentes dhe bashkëpunimi që ka me partitë politike do të jenë ndryshim për vendin.
Ndërsa për qëllimet e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, Dugolli thotë se do të jetë zëri i arsyes dhe kompetencës në fusha të caktuara duke mos u shkëputur kurrë nga interesat e atyre që i besuan dhe e votuan.
Gjithashtu në lidhje me bashkëpunimin e opozitës me pozitën, deputeti thotë se pret nga ato që të jenë bashkë për çështjet madhore dhe nacionale të vendit.
Në fund, i pyetur për masat e fundit anticovid, Dugolli u shpreh që kanë qenë të nevojshme për shkak se rastet po vazhdojnë të rriten mirëpo që pret që së bashku të kalojnë edhe këtë sfidë mjaftë të rëndë për vendin.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Z. Dugolli, si e komentoni situatën politike në vend, pas formimit të institucioneve të Kosovës?
Enver Dugolli: Kosovës i ka munguar shumë stabiliteti politik dhe institucional, prandaj mendoj që pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe certifikimit të rezultateve, në afat rekord janë formuar institucionet e vendit të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e lira dhe demokratike. Gjithsesi që ky fakt është një moment i ri i cili dëshmon një stabilitet dhe qëndrueshmëri të munguar për një kohë të gjatë.
“Bota sot”: Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme LVV doli të ketë një fitore të thellë. Cilat janë sfidat më të mëdha të Qeverisë Kurti?
Dugolli: Fitorja plebishitare e Lëvizjes Vetëvendosje, është vetëm fillimi i ndryshimit. Gjithsesi që na presin punë dhe angazhime të mëdha në jetësimin e ndryshimit të kërkuar nga qytetarët. Sfidat janë të shumta, nga ato bazike deri te kjo e fundit Pandemie, e cila është sfidë globale. Problemet e stresuara kërkojnë qasje dhe zgjidhje të matur duke i dhënë prioritet drejtësisë dhe punësimit. Zhvillimi ekonomik nuk mund të ketë pa drejtësi ashtu siç nuk mund te ketë punësim pa zhvillim ekonomik. Tani jemi në një situatë tejet të rëndë për shëndetin publik nga pandemia, e cila gjithashtu ka dëmtuar shëndetin ekonomik. Prandaj sfida më e madhe dhe më urgjente është vaksinimi sa më i madh i qytetarëve (sigurimi i vaksinave), në mënyrë që të kthehemi sa më parë në normalitet. Kjo do t’i hapte rrugë edhe çështjeve tjera të cilat gjithashtu janë prioritetet e Qeverisë e cila në fokus do të ketë përmirësimin e jetës së qytetarit me drejtësi e zhvillim.
“Bota sot”: Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, a mendoni që bashkëpunimi do të jetë në nivel të duhur, mes presidentes dhe partive politike?
Enver Dugolli: Zgjedhja e Presidentes ka qenë obligim kushtetues dhe ligjor, prandaj konsideroj se përkundër sfidave që dolën në këtë proces ky hap u përmbyll me shumë sukses. Pjekuria e partive politike dhe deputetëve në veçanti për pjesëmarrje dhe votim në këtë proces, tregon nivelin e lartë të përgjegjësisë së tyre. Unë dhe jam i bindur se pjekuria politike e Presidentes znj. Vjosa Osmani do shkëlqejë edhe në ketë fazë duke ofruar bashkëpunim dhe përkrahje të gjitha forcave politike në vend, pozitë dhe opozitë, gjithnjë në funksion të përmbushjes së obligimeve kushtetuese dhe ligjore për interesat e shtetit dhe qytetarëve të vendit.