Dy seancat e fundit të Kuvendit pati mjaft përplasje verbale në mes të deputetëve, për shkak të pandemisë së Covid-19.
Derisa po diskutohej për gjendjen me pandeminë e COVID-19 në vend, deputetët e partive opozitare, të hënën kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e saj dhe sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.
Ata e fajësuan qeverinë për mos sigurimin e vaksinave, derisa e kritikuan se kishte prioritet zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe jo shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, nuk ka prioritet menaxhimin e pandemisë. Ai ka kritikuar edhe administrimin e vaksinave, duke thënë se procesi i imunizimit ka qenë i ngadalshëm.
Ismaili, partia e të cilit ka bërë kërkesën për debatin parlamentar, ka kërkuar që të njofton qytetarët se kur pritet të arrijë kontingjenti i radhës me vaksina kundër COVID-19.
“Qeveria Kurti ka para vetes një detyrë të thjeshtë, që të blejë 2.5 milionë vaksina. Kompanitë e vaksinave u shesin qeverive vaksinat e tyre, në mënyrë që qytetarët t’i marrin falas. Por, mënyrën se si po sillen kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë (Arben Vitia), duket se këta janë duke u munduar të zbulojnë një vaksinë dhe jo ta blejnë. Përgjigje nuk ka as në çështjet esenciale: sa vaksina na nevojiten, kur vijnë vaksinat… e patëm një episod të një vaksinimi tejet të shkurtër, me shumë pak vaksina, fare pak transparencë. Nuk dihet kush është vaksinuar”, tha Ismaili.
Lidhur me këtë kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“E gjithë kjo zhurmë, për të mbuluar dështimet e tyre”
Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qeveria nuk është fajtore për vaksinat, sepse sipas Qarrit, as qeveria e kaluar sa ishte në pushtet nuk kanë dashur që ta furnizonin Kosovën me vaksina.
Tutje, ai ka shtuar se tani kanë filluar të alarmohen nga frika e ri-funksionalizimit të shtetit ligjor, sepse bëjnë reagime të çuditshme pas çdo veprimi që bënë Qeverisa e re.
“Kosova as Qeveria e re e saj, nuk janë shpikëset as prodhueset e vaksinave anticovid-19, madje as shtetet që i posedonin këto vaksina dhe kishin mundësi ta ndihmonin Kosovën, derisa ishin në pushtet partitë e inkriminuara, tanimë shihet qartë se nuk deshën as nuk pranuan ta furnizonin Qeverinë kundër kushtetuese me vaksina, derisa nuk u rrëzuan plotësisht nga pushteti dhe qeverisja partitë e kriminalizuara. Ndaj, që në fillim të debaklit në zgjedhje, rënies së tyre nga pushteti dhe ndryshimeve politike në vend, pas mbi 13 vitesh qeverisje të tyre mafioze, kanë filluar të alarmohen aq keq nga frika e ri funksionalizimit të shtetit ligjor, sa që çdo veprim të Qeverisë së re, të legjitimuar nga vota e popullit, edhe po të jetë pafundësisht pozitiv, hidhen në sulme si të dehura dhe bëjnë reagime jo vetëm shumë kontroverse por edhe tërësisht pa lidhje dhe tepër të çuditshme, sa të krijohet përshtypja sikur ke të bësh me politik-bërës fillestar dhe parti krejtësisht amatore”, ka deklaruar Qarri.
Sipas tij, opozita e cila nuk ka siguruar vaksina, tani deklarojnë se Qeveria Kurti ka dështuar me pandeminë, madje Hoti dhe Bajrami kanë keqpërdorur edhe miliona euro nga BE-ja, duke u pasuruar por që tani pritet të merret me këtë edhe prokuroria e shtetit të Kosovës.
“Këtë e dëshmon më së miri edhe marrja hov e sulmeve të tyre të pakontrolluara kundër Qeverisë Kurti, pa të drejtë dhe pa asnjë argument më të vogël, nga strukturat kriminale të ish qeverisjeve të kaluara mafioze. Për aq më tepër, opozita e cila për gati një vit, nuk ka mundur ta siguronte asnjë vaksinë të vetme anti-Covid dhe detyronte qytetarët të kërkonin “shpëtim” edhe në Serbi, tash thotë se kinse Qeveria Kurti ka dështuar me pandeminë, derisa vet nuk ka sjellë kurrë asnjë vaksinë në Kosovë. Madje përkundër faktit se nuk kishte vaksina, Qeveria kundër kushtetuese e kryesuar nga Avdullah Hoti dhe ministrja e financave Hykmete Bajrami, keqpërdorën edhe huan prej më se 100 milionë eurove nga Bashkimi Evropian, për t’i pasuruar edhe më tepër super-pasanikët dhe firmat më fitimprurëse në vend, me qindra mijëra euro “ndihma”, skandal ky, më tepër se i paprecedent, me të cilin së shpejti, pritet të merret deri në imtësi edhe vet prokuroria e shtetit të Kosovës, të cilës partitë opozitare tash ia kanë frikën me të madhe”, ka shtuar ai.
Qarri më tej ka thënë se Qeveria Hoti, në vend se të blinte vaksina si dhe t’iu ndihmonte familjeve në nevojë, iu falën para kompanive të pasura, madje edhe avokatit të Mustafës, këto të cilat të lënë të kuptosh se kjo qeveri ishte e lidhur me mafio-magnetët e vendit.