Zëvendësministri i Jashtëm Sadat Onal tha se Evropa po përballet me krizën e saj më të keqe të sigurisë që nga Lufta e Ftohtë, transmeton KosovaPost.
“Bashkëpunimi në kontrollin e armëve dhe çarmatimin është bërë edhe më i rëndësishëm”, tha ai.
Onal mori pjesë në Konferencën e Çarmatimit që mbahet në Zyrën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë të Zvicrës, nëpërmjet videokonferencës.
“Tani për tani, ne po përballemi me krizën më të keqe të sigurisë në Evropë që nga Lufta e Ftohtë”, tha ai, duke theksuar se konventat dhe angazhimet ndërkombëtare që kontribuojnë në sigurinë kolektive të vendeve janë bërë të dyshimta.
Në këtë kontekst, Sedat Onal përsëriti mbështetjen e Turqisë për “sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin politik” të Ukrainës.
“Gjatë kësaj periudhe, bashkëpunimi në kontrollin e armëve dhe çarmatimin u bë edhe më i rëndësishëm”, tha ai.
Duke theksuar rëndësinë e Konferencës së Çarmatimit, Onal tha se në mënyrë që konferenca të jetë efektive, duhet të rikthehet fuqia negociuese.
Pasi vuri në dukje se rishfaqja e përdorimit të armëve kimike ishte një shkak për shqetësim serioz Onal tha: “Regjimi sirian ka përdorur vazhdimisht armë kimike, siç është konfirmuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW). Turqia do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje si anëtare e komitetit ekzekutiv të organizatës.”.
Zëvendësministri i Jashtëm Onal nënvizoi se ata e shohin Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore (NPT) si gurthemelin e regjimit të çarmatimit dhe të mospërhapjes bërthamore.
Ai tha se mbështesin të gjitha përpjekjet për të ringjallur Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët (JCPOA), i njohur si marrëveshja bërthamore, midis Iranit dhe fuqive globale.
“Krijimi i një Lindje të Mesme pa armë bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë mbetet një prioritet. Ne inkurajojmë vendet e Lindjes së Mesme të vazhdojnë dialogun në këtë drejtim”, bëri të ditur Onal./trt