14 vjetori i Pavarësisë së Kosovësu festua nëpërmjet rrëfimeve nga dy gra të cilat përmes dhimbjeve, vuajtjeve, tmerreve të luftës së fundit në Kosovë, u zhytën në shpresë, u shndërruan në inspirim për shkrimtarë e regjisorë dhe u bënë zëri i shumë grave të Kosovës që fuqinë e tyre të brendshme e shpërthejnë rrallëherë por kur ndodh, atëherë nis një histori suksesi, i njëllojshëm me atë të këtyre grave. Pra, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti, mbrëmë erdhën me një rrëfim të sinqertë e tejet inspirues në KultPlus Caffe Gallery.
Prezenca e tyre përgjatë dy orëve, rezultoi që rrëfimet e tyre të dëgjohen me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe, ngase qetësia që këto dy gra posedonin, dëshmoi se krenaria e tyre nuk kishte nevojë për fjalë e as për zë, por ajo shkëlqente përmes syve të tyre që rrezatonin dhimbje, dashuri, lumturi, por mbi të gjitha; mburrje. Mburrje për atë se çfarë kanë arritur, nga një rrugë e shtruar me gropa e kthesa të shumta, deri në një depërtim mbarëbotëror, ku historia e tyre hyri në fushën kinematografike por edhe atë letrare, shkruan KultPlus.
Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti u bënë muza të shkrimtarëve e regjisorëve, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar si ajo në vitin 2005, “Ikonë e lotëve” me regji të Ilir Kabashit si dhe “Pritja” me regji të Artan Korenicës, film ky që ka përfunduar por ende nuk është shfaqur, por edhe të librave, ku shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar së fundmi librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, bazuar në jetën e saj.
Ora shënoi 19:00, dhe një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve kishte zënë vendin në karriget e tyre për të qenë sa më afër ngjarjes e për të parë nga afër këto gra që sa herë që ato flasin, sytë e tyre flasin akoma më shumë. Hapësira e KultPlus Caffe Gallery, u mbush me artistë, artdashës, e njerëz të cilët ishin prezent në jetën e këtyre dy grave qysh në fillet e tyre të një jete pas lufte, jetë kjo që u konsiderua edhe një luftë e dytë më vete. Ndërkohë, bashkëbisedimit veçse kishin filluar mes të pranishmëve derisa koha për të nisur mbrëmja erdhi.
Entuziazmi i publikut dallohej jo vetëm në qetësinë absolute që kishte kapluar atmosferën por edhe në lëvizjet e tyre trupore që ishin të drejtuar karshi këtyre dy grave të cilat me një rrëfim jo të lehtë, shpalosën gjithë sfidat e tyre që zunë vend në rrugëtimin e tyre që ishte mbushur plot me dëshira që vendi jonë të jehojë me historinë që mban mbi supe.
Gazeta e parë online për art e kulturë, KultPlus e ka sjellë këtë mbrëmje si një dedikim për këto dy gra të suksesshme në jetë e të cilat sot e përherë do të kenë një rrëfim inspirimi për gjeneratën e re, ani pse kanë vepruar në kushte e rrethana krejt tjera.