Dje përmbaruesja publike e Serbisë, Vesna Markoviq ka dëbuar familjen Ramadani nga banesa e tyre në bulevardin “Kral Aleksandri” pa asnjë njoftim. Një ditë pasi familja e saj ka mbetur pa shtëpi, Sevdije Ramadani thotë se ndihet keq.
“Mezi qëndroj… Jam shumë e rraskapitur mendërisht. Ndihem shumë keq”, tregon Sevdija.
Siç thotë ajo, përmbaruesja dhe policia hynë në banesë në një moment kur fëmija i saj ndodhej i vetëm në banesë.
“Ata hynë brenda, fëmija ishte vetëm. Ka qenë shumë stresuese. Mbrëmë është zgjuar, nuk ka mundur të flejë”, thotë Ramadani.
Kjo e fundit deklaron se përmbaruesja e ka dëbuar familjen pa asnjë njoftim, shkruan N1.
Reklama
“Çfarë bënë… askush nuk më njoftoi se po vinin dje. Unë shkova në punë, fëmija ishte vetëm. E bastisën banesën, ndërkohë më thirri fëmija dhe më tha ‘mami, mami, po plaçkitin banesën, kanë ardhur ekzekutorët’. I thashë të fshihej në dhomë dhe të mos e zë paniku, ndërsa ai ma ktheu sërish ‘mami, mami ende po vjedhin’”, tregon Sevdija.
Kur u kthye në banesë, thotë ajo, gjeti një turmë policësh dhe njerëz me rroba civile.
“Përmbaruesja nuk kishte të drejtë për këtë sepse nuk kishte konkluzion për atë procedurë”, tha Ramadani.
Ajo ka theksuar se përmbarimi po kryhet edhe pse Gjykata e Lartë në Beograd ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për pronësinë e banesës.
Organizata “Joint Action Roof Over Head” ka njoftuar përmes Facebookut se përmbaruesja Markoviq ka ndërmarrë veprime pavarësisht se “familja ka jetuar këtu ligjërisht për disa dekada dhe përkundër faktit se gjykata ka caktuar seancën për 14 dhjetor në të cilin do të përcaktohet pronësia e banesës”.