Në dhomën e Përfaqësueses së Serbisë u shfaq një flamur me ngjyrat e këtij shteti, si dhe hartën e Republikës së Kosovës në të, ku thuhej ‘Nuk dorëzohemi’. Flamuri i njëjtë u shfaq edhe nga tifozët në ndeshjen Brazil – Serbi.
Pikërisht për këtë, shtëpia më e madhe e futbollit, FIFA, ka hapur procedurën disiplinore ndaj Serbisë.
FIFA ka njoftuar këtë të shtunë se tashmë ka marrë hapat e parë lidhur me këtë rast, pasi ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë dhe pritet që së shpejti të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë rast.
Procedura disiplinore u hap në bazë të nenit 11 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 4 të Rregullores për Kupën e Botës.
“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka hapur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë për shkak të një flamur të shfaqur në dhomën e tyre të zhveshjes me rastin e ndeshjes Brazil – Serbi”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës të premten dërgoi një ankesë në FIFA lidhur me rastin në fjalë.
Përveç FFK-së, dje reaguan edhe Komiteti Olimpik i Kosovës dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Nga FFK, KOK-u dhe MKRS u dënua ashpër ky rast, teksa të gjithë kërkuan që të merren masat adekuate nga FIFA ndaj Serbisë.
Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Serbisë nuk ka pranuar të jep ndonjë koment lidhur me shfaqen e flamurit skandaloz në dhomën e zhveshjes së Përfaqësueses së tyre.