Deri para një muaji, në shumë debate televizive ku isha vetë prezent, zyrtarët e lartë të shëndetësisë së Ramës shpallnin se nuk marrin dot vaksina ruse e kineze, për shkak se këto nuk kishin certifikimin e agjensive si EMA evropiane apo FDA amerikane.
Tani pas një muaji, jo se e mori certifikimin sputniku e sinovaksi, thjesht Rama u dorëzua dhe pranoi paaftësinë e vet për të siguruar vaksina të certifikuara. Si zakonisht fajin ia hodhi tjetërkujt, fajin pra na e paska Evropa që s’do shqiptarët dhe jo ky që as di të negociojë e as të punojë për vendin e vet (rrjedhojë e kësaj logjike është se shqiptarët na i dashka Kina e Rusia…!).
Dhe vendosi të bëjë fushatë me jetët e njerëzve të trembur nga pandemia, të cilën sipas çdo parametri e ka administruar më keq se kudo në Evropë (më pak teste, më pak vaksina, më pak shtretër ICU, më pak ndihmë ekonomike etj. për frymë se çdo vend evropian – përjashto Kosovën e administruar nga partneri i Ramës, Avdulla Hoti).
Rama mandej vendosi të tregohet edhe patriot. Premtoi se 11.000 vaksina Pfizer do i ndante si ndihmë për Kosovën. Me ardhjen e qeverisë Kurti, u kërkua që këto vaksina të jepeshin, pra thjesht të mbahej fjala.
Rama prapë e përdori për fushatë, doli në Rrogozhinë dhe tha “më thirri Albini më kërkoi vaksina, po normal që do i japim, po këto s’bëhen duke fjetur” e pallavra të tilla. Puna është se Rama flet e bën fushatë, por vaksinat Pfizer i kishte harxhuar.
Dhe deshi të jepte kinezet. Kinezet Kosova nuk i pranon dot për të njëjtën arsye që edhe Rama nuk i pranonte deri para një muaji, pra për shkak të moscertifikimit nga EMA dhe FDA. Po të ishte e mundur të pranoheshin vaksinat kineze në Kosovë, do ishin blerë me kohë, pa pritur gjestet fushatore të Ramës.