Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka hedhur poshtë nocionin se pushtimi rus i Ukrainës nga Rusia mund të fajësohet për zgjerimin e Aleancës ushtarake Veri Atlantike (NATO), që filloi gjatë presidencës së tij.
Duke folur për CNN, Clinton tha se tashmë është bërë gjëja e duhur.
“Mendoj se kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur. Dhe nëse nuk do ta kishim bërë, kjo krizë [pushtimi i Ukrainës nga Rusia] mund të kishte ndodhur më herët”, tha Clinton në intervistë për emisionin “Fareed Zakaria GPS”.
Kritikët kanë argumentuar se cenimi i vazhdueshëm i Rusisë në kufijtë e saj nga NATO ka bërë që presidenti Vladimir Putin të nxitej për të pushtuar Ukrainën ose për të rimarrë një pjesë të perandorisë së humbur të Rusisë ose për të demonstruar se vendi i tij nuk është një shtet i dobët që do të frikësohej lehtësisht nga Perëndimi.
“Putin nuk e fshehu faktin se ai mendonte se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një tragjedi e madhe”, theksoi Clinton.
Tutje ai the se SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kishin për qëllim kurrë të kërcënonin Rusinë dhe se vendet e Evropës Lindore kishin të drejtë të jetonin në siguri pas dekadash të dominuara nga Rusia.
“I ofrova Rusisë jo vetëm një partneritet special me NATO-n, por edhe perspektivën e anëtarësimit eventual në Aleancë, duke argumentuar se problemet tona më të mëdha të sigurisë në të ardhmen do të vinin nga akterë joshtetërorë ose nga shtete autoritare që u shesin armë kimike, biologjike dhe bërthamore grupeve terroriste”, u shpreh Clinton.
Zgjedhja e Clintonit si president, në vitin 1992, erdhi si pasojë e fundit të Luftës së Ftohtë. Vendet e Evropës Lindore në vitin 1989 kishin hedhur tutje dekada të diktaturës komuniste dhe presidenti rus Mikhail Gorbachev kishte shpërbërë Bashkimin Sovjetik në vitin 1991.
Gjatë presidencës së Clintonit, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia iu bashkuan NATO-s, e ndjekur në 2004 nga Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Të gjitha këtë shtete kishin qenë ose pjesë e Bashkimit Sovjetik ose aleatë të saj.