Si për herë edhe sot, kryeqendra europiane, Brukseli, ka qenë nikoqire e raundit të ri të bisedimeve midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, përkatësisht Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiqit, raporton Kosova Post.
Në këtë kuadër, studiuesi i filozofisë, Sead Zimeri, është bërë hallke në zingjirin e reagimeve relevante përkitazi me zhvillimet në fjalë.
Në një pronocim për agjencinë e lajmeve, Kosova Post, teksa ka komentuar qasjen e njëanshne të kryedipomatit të BE-së, Jozef Borrell, njëherësh ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ligjeruesi universitar Zimeri i ka përligjur ankesat që kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka shafaqur karshi përfaqësuesit të BE-së.
“Këto negociata kanë vazhduar për kaq shumë kohë dhe thjesht i kanë lënë të zvarriten. Pra, ka të drejtë kryeministri Kurti që i drejton gishtin Borrelit se ata nuk janë vërtetë seriozë për këto bisedime. Dhe unë mendoj se fakti që ata kanë zgjedhur këto dy teveqelat për të ndërmjetësuar bisedimet tregon se nuk ka urgjencë për këto bisedime në Bruksel apo Uashington”- ka argumentuar Zimeri.
Më tutje, Zimeri apelon që qasja karshi bisedimve të mos kundrohet si fataliste, përkatësisht të mos e trajtojmë çdo fazë të dialogut si çështje jetike, sepse sipas filozofit, situata të tilla dëftojnë naivitet të palës që ka perjetim të atille për procesin dialogut.
“Nuk ka asgjë më naive sesa t’u qasemi bisedimeve në vazhdim sikur të ishin çështje jete ose vdekjeje. Duhet të jemi realistë dhe të mendojmë historikisht. Shumë qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës kanë dështuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë, dhe kjo është e pritshme sepse tema është aq komplekse, aq e rëndësishme dhe e ngarkuar emocionalisht sa që asnjëra palë nuk është e gatshme t’i dorëzohet kërkesave të tjetrës. Ata do të rezistojnë deri në fund: derisa të bëhet absolutisht e qartë se ose do të pranojnë kushtet e vendosura nga BE-ja dhe SHBA-ja ose do të ndëshkohen aq rëndë, saqë nënshkrimi i marrëveshjes, si të thuash, të jetë e keqja më e vogël”- shton Zimeri.
Zimeri, kujdesin e ‘imponon’ si kusht në shërbim të mbarvajtjes së barazpeshës, respektvisht si kusht për të shmangur pozicionet ekstreme.
“Kur vlerësojmë negociatat në vazhdim, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të shmangur të dyja ekstremet: ekstremi i parë, se çdo ngecje në bisedime është fundi i palës që nuk pajtohet ose, ekstremin e dytë, brohoritja triumfaliste që i dolëm përballë BE-së. Mendoj se të dyja qasjet janë të gabuara dhe vërtet mjaft të papjekura. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar apo për t’u gëzuar. Gjatë bisedimeve është shumë normale që gjërat do të ngecin, do të ketë fillime të rreme, që do të ketë keqkuptime. Ne nuk mund të presim që t’i zgjidhim këto probleme me Serbinë pa pengesa të mëdha, vonesa, ngecje dhe vonesa të mëtejshme e kështu me radhë e kështu me radhë” – kundron filozofi
Në këtë dritë, intelektuali dhe studiuesi nga Oslo, Zimeri kushtrimon që të mos ketë, siç ka thënë ai, ngarendje pas prognozave dhe analizave dilitanteske.
“Të mos bëhemi fansa të ndonjë prognoze të papjekur dhe analize të cekët. Bisedimet dështojnë gjatë gjithë kohës dhe kjo nuk parashikon fundin tonë. SHBA dhe BE nuk do të na braktisin: do të përgatisin një raund të ri bisedimesh”- thotë ai.