Reali i Madridit ka mundur Barcelonën 3-2 në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës, duke siguruar një vend në finalen e madhe të së dielës, por suksesi i arritur nga “Los Blancos” nuk ka qenë pa pasoja.
Disa prej lojtarëve kyçë të Realit në suksesin ndaj Barçës kanë mbyllur takimin me disa dëmtime.
REAL MADRID ASENSIO
Kjo ka ndezur dritën e kuqe për trajnerin Ancelotti, i cili nuk e ka luksin të paraqitet në finale pa lojtarë si Modriç, Benzema e Vinicius.
BENZEMA DHE VINICIUS
Dyshja e sulmit të Realit vazhdon të shkëlqejë dhe të shënojë pareshtur. Kështu ka bërë edhe në gjysmëfinale, ku fillimisht braziliani dhe më pas francezi kanë shënuar nga një gol. Benzema pas ndeshjes ka deklaruar se ndien pak lodhje si pasojë e ngarkesës së madhe, por ka nënvizuar se nuk ka ndër mend të mungojë në finalen e madhe.
Ankesa ka pasur edhe nga Viniciusi. Braziliani ka marrë disa goditje të forta dhe për këtë i është ankuar edhe trajnerit Ancelotti.
“Po më masakrojnë”, i ka komunikuar ai trajnerit italian, i cili në fund vendosi ta zëvendësonte për të mos rrezikuar më shumë. Pas ndeshjes Ancelotti ka deklaruar se Vinicius ka shfaqur disa probleme, por shpreson të rikuperohet në kohë për finalen e së dielës. Më e qetë situata për Luka Modriçin. Edhe kroati ka shfaqur disa probleme, por ai pritet të jetë plotësisht gati për finalen e madhe.
ALABA PROBLEMI I MADH
Me Benzeman e Viniciusin që pritet të jenë në fushë, shqetësimi madhor i trajnerit Ancelotti është David Alaba. Austriaku ka pësuar një dëmtim muskulor dhe për këtë arsye mungoi në gjysmëfinale.
Mungesa e austriakut ka rënë në sy, me mbrojtjen e Realit që ka futur ujë përballë Barcelonës, duke pësuar dy gola dhe rrezikuar edhe të tjerë. Trajneri Ancelotti i pyetur pas ndeshjes në lidhje me mundësinë e aktivizimit të Alabës në finale ka lënë gjithçka hapur.