Prodhuesi i pajisjeve të rrjetit pa tela dhe fiks Nokia sot raportoi fitimet e tremujorit të tretë mbi pritjet e analistëve për rritjen e shitjeve të teknologjisë 5G dhe uljen e kostove, por kompania paralajmëroi se mungesa globale e gjysmëpërçuesve shkaktoi mjegulla në parashikimet e tregut dhe mund të pengojë rritjen, transmeton Kosova Post.
Kompania me bazë në Espoo të Finlandës raportoi fitim neto prej 463 milionë euro për periudhën korrik-shtator në krahasim me 305 milionë euro një vit më parë. Shitjet u rritën me 2 për qind në 5.4 miliardë euro, shkruan AA.
Drejtori i Përgjithshëm, Pekka Lundmark tha se rezultatet e tremujorit të tretë treguan se kompania “pati një tremujor tjetër të shkëlqyeshëm” të nxitur nga investimet e saj në rritje në teknologjinë 5G.
Ai potencoi se pasiguria rreth gjysmëpërçuesve kufizoi perspektivën për tremujorin e katërt dhe atë të vitit 2022. Mungesa e gjysmëpërçuesve ka çuar në mungesë të çipave për produktet e Nokia-s dhe konkurrentëve të saj.
“Ne mund të ishim rritur më shpejt (në tremujorin e tretë) nëse do të kishte komponentë të mjaftueshëm në dispozicion”, tha Lundmark
Pavarësisht lulëzimit të tregut për produktet 5G, Lundmark në fillim të këtij viti pranoi se Nokia u përball me probleme në tregje të caktuara si SHBA-ja, ku kompania ka humbur pjesën e tregut. Fitimet e saj në tregun kinez mbetën të ulëta pavarësisht se Nokia siguroi një marrëveshje të rëndësishme 5G me operatorin kryesor “China Mobile” këtë vit.