Fituesja e Çmimit Nobel, Karman: Jemeni është duke kaluar përmes vuajtjeve që bota kurrë nuk i ka përjetuar

Fituesja e Çmimit Nobel, Karman: Jemeni është duke kaluar përmes vuajtjeve që bota kurrë nuk i ka përjetuar

Gazetarja, aktivistja dhe fituesja e Çmimit Nobel, Tawakkol Karman, deklaroi se Jemeni është duke kaluar përmes vuajtjeve që bota kurrë nuk i ka përjetuar më parë dhe pothuajse gjysma e popullsisë së Jemenit është në prag të ekzistencës, transmeton KosovaPost.

E njohur si “nëna e revolucionit në Jemen”, Karman është laureatja e dytë më e re, fituese e Çmimit Nobel, arabja e parë që ka fituar çmimin në vitin 2011, ndërsa është edhe drejtuese e Fondacionit që mban emrin e saj.

Fondacioni i saj në Stamboll organizoi një konferencë ndërkombëtare me titull “Jemeni mes sfidës së luftës dhe mundësitë për paqe”, ku Karman në adresimin e saj para të pranishmëve shprehu shpresën se pjesëmarrësit e shquar të konferencës do të kontribuojnë në vendosjen e paqes në vendlindjen e saj Jemen.

Duke theksuar se populli i Jemenit për katër vjet është duke kaluar nëpër golgotën e një luftë shumë të vështirë, Karman tha se në bisedimet rreth Jemenit nuk duhet harruar se gjatë protestave paqësore të vitit 2011 në kuadër të Pranverës Arabe populli kërkonte drejtësi, liri, demokraci dhe prosperitet, dhe për kundër kësaj mori kundër vetes grupet e armatosura dhe radikale.

Karman pohon se pas të gjitha komploteve dhe kaosit në të cilin ndodhet Jemeni qëndrojnë forcat imperialiste perëndimore të cilat e orkestruan këtë.

“Autoritetet e vendeve perëndimore kanë rënë në provimin e demokracisë. Jo vetëm që nuk mbështetën kërkesat për demokratizim në Jemen, por i bllokuan ato”, tha Karman, duke shtuar se supozohej se ato që mbështesin në mënyrë deklarative Pranverën Arabe në fund u rreshtuan me qeveritë arabe autokratike dhe diktatorët.

Ajo më tej shtoi se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një ndikim të madh në situatën në Jemen, duke shtuar se Jemeni ka ardhur në një situatë pothuajse të pashpresë.

“Këto forca kanë shtyrë Jemenin në një situatë edhe më të vështirë vetëm për të realizuar axhendën e tyre politike. Në fund, qëllimi ishte të shfrytëzohen konfliktet e atjeshme për të marrë burimet e Jemenit dhe të vendosin kontroll mbi rajonin”, tha Karman.

Duke theksuar se Jemeni aktualisht po kalon përmes një katastrofë humanitare të paparë, ajo tha se janë shkatërruar infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi.

“Jemeni është duke kaluar përmes vuajtjeve që bota kurrë nuk i ka përjetuar më parë. Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara urgjentisht nevojitet ushqimi për tetë milionë njerëz. Nevojitet ndihma urgjente mjekësore për dy milionë fëmijë dhe po aq gra shtatzëna. Uria është një problem me të cilin ballafaqohen 14 milionë njerëz në Jemen. Kjo pothuajse është gjysma e popullsisë së vendit, e cila është në prag të ekzistencës”, tha Karman.

Karman gjithashtu tha se lufta në Jemen duhet të ndalet urgjentisht dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

“Jemen ka nevojë urgjente për paqe dhe hapjen e aeroporteve, porteve, ishujve dhe plazheve. Tregtia e Jemenit duhet të ripërtërihet. U bëj thirrje Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të heqin duart nga Jemeni. Lëreni këtë rajon të qetë, ndaloni së mbështeturi grupet terroriste. I bëj thirrje Teheranit që gjithashtu të largohet nga Jemeni, të ndalojë së mbështeturi Huthit dhe t’i jepet fund shkatërrimit të mëtejshëm të vendit”, tha Karman.

Karman theksoi se për ndalimin e luftës në Jemen, gjëja më e rëndësishme është që Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irani të heqin duart nga ky vend.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt shkatërrues që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana dhe Hudejden.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen, që synonte rikthimin e territoreve të marra nën kontroll nga lëvizja Huthi.

Dhuna ka shkatërruar infrastrukturën e Jemenit, përfshirë sistemet e tij shëndetësore dhe sanitare, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si “një nga fatkeqësitë më të mëdha humanitare të kohëve moderne”.

-”Vrasja e Khashoggit ka shkaktuar tronditje në të gjithë botën”

Duke komentuar vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll, Karman tha se ky rast ka shkaktuar tronditje në të gjithë botën, veçanërisht për shkak të vendit se ku ka ndodhur dhe brutalitetit që ishte bërë.

“Fatkeqësisht, është përdorur një taktikë e ngjashme të cilën e përdorin dhe organizata terroriste, si DEASH: e vërteta rreth kësaj duhet të zbulohet dhe duhet të përgjegjësit duhet të ndëshkohen pavarësisht emrave dhe funksioneve të tyre. Kjo është thirrje për drejtësi, më parë kanë mundur të kryejnë likuidime të këtij lloji, por kësaj radhe nuk mund të shpëtojnë. Ku është trupi i Jamal Khashoggit, kush urdhëroi vrasjen e tij, janë pyetjet që duhet të gjejmë përgjigjet”, tha Karman.

Kolumnisti i gazetës “The Washiington Post” Jamal Khashoggi u vra më 2 tetor në ndërtesën e konsullatës saudite në Stamboll. Prokuroria turke gjeti se Khashoggi u ngulfat menjëherë pas hyrjes në konsullatë dhe se trupi i tij u copëtua dhe u shkatërrua.

Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e Khashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite më 20 tetor mbetën të detyruar të pohojnë se Kashoggi është vrarë gjatë një sherri në konsullatë.