I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendëskryeministër, ministra të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Si Kryeministër i vendit, por edhe si Kryetar i partisë politike më të madhe në vend, natyrisht që shpreh kënaqësinë dhe falënderimin tim në lidhje me punën e bërë për të përfunduar me sukses këtë reformë zgjedhore. Në radhë të parë, dua të falënderoj subjektet politike pjesëmarrëse në Grupin Punues të Komisionit ad-hoc për angazhimin, punën dhe pajtueshmërinë rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të bëra në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Po ashtu, falënderoj miqtë ndërkombëtarë për kontributin e tyre profesional me rekomandimet e vazhdueshme, pas të gjitha cikleve zgjedhore në Kosovë, tani e mbi një dekadë.
Në këtë drejtim dua të theksoj posaçërisht Misionin Vëzhgues të BE dhe Misionin Vëzhgues të Mbretërisë së Bashkuar, për rekomandimet e shumta profesionale, të cilat janë pranuar dhe integruar në tërësi në draftin e ofruar për votim sot.
Falënderoj Misionin e OSBE në Kosovë për gatishmërinë dhe përkrahjen profesionale dhe infrastrukturore për realizimin e kësaj reforme. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe shoqërinë civile për qëndrimin kritik dhe angazhimin e vazhdueshëm për realizimin e reformës zgjedhore dhe rekomandimeve të tyre.
Krejt në fund, jo më pak, dua të falënderoj KQZ për angazhimin dhe punën profesionale, për ndihmën e jashtëzakonshme me analiza e studime profesionale dhe rekomandime konkrete për realizimin e kësaj reforme zgjedhore.
Përpjekjet për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010 të cilat u karakterizuan me parregullsi dhe manipulime të shumta sa që u cilësuan nga misione të ndryshme vëzhguese ndërkombëtare si “vjedhje industriale e votave” . Kjo tentative për reformë zgjedhore nuk arriti të rrumbullaksohej për shkak te mungesës se vullnetit politik te asaj kohe dhe zhvillimeve te tjera politike.
Siç e kemi thënë edhe më parë problemi me proceset zgjedhore nuk ka pasur të bëjë shumë me sistemin zgjedhor se sa me vet procesin e administrimit të zgjedhjeve. Pas secilit proces zgjedhor ka pasur raporte të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve por edhe të organizatave vendore të cilat kanë shpërfaqur problemet dhe mangësitë me te cilat janë karakterizuar zgjedhjet ku janë dhënë edhe rekomandime për përmirësimin e tyre. Raporti i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale në Kosovë i publikuar në shkurt të vitit 2022 adresoi 23 rekomandime për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen, ku disa prej tyre përfshinin domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore.
Ngjashëm, edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2022 për Kosovën, në fushën e demokracisë ka renditur çështjet që ndërlidhen ne proceset zgjedhor dhe me mos adresimin e tyre për vite me radhë. Pjesëmarrja e mërgatës në proceset zgjedhore dhe vështirësitë e tyre në realizmin e kësaj të drejte janë arsyeja e radhës për domosdoshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore e cila tashmë mundëson realizimin e të drejtës së tyre për të votuar.
Ndër çështjet më të rëndësishme të cilat rregullohen me këtë projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi votave/fletëvotimeve për kandidatët e subjekteve politike, dhe mbështetja financiare shtesë për parti të cilat krijojnë hapësirë për numër më të madh të deputeteve gra sa është kuota e përcaktuar.
Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online përmes një platforme që do ta krijojë KQZ në mënyrë që votuesit nga mërgata të mos kenë nevojë të dërgojnë dokumente të shumta qoftë përmes emailit ose përmes Postës. Me platformën e regjistrimit online synohet të zvogëlohen barrierat teknike e procedurale, por edhe të ulet kostoja e të rritet efikasiteti.
Ø Me projektligjin e ri, mërgata do t’i ketë tri mënyra të votimit. E para, votimi fizikisht në ambasada dhe konsullata, e dyta, votimi duke i dërguar me postë të brendshme në adresë të ambasadës dhe e treta mbetet mënyra e vjetër duke i dërguar ato në adresë të KQZ-së.
Ø Me ligjin e ri e drejta e votës u takon vetëm atyre që janë të regjistruar në regjistrin civil, respektivisht ata që kanë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.
Ø Me këtë projektligj ruhet shpejtësia e numërimit të votave për parti politike si dhe shpallja e rezultateve disa orë pas mbylljes së vendvotimeve. Por, projektligji gjithashtu adreson shkakun kryesor të rinumërimeve duke bartur numërimin e votave për kandidatë në qendrat komunale të numërimeve përmes një procesi transparent gjë që mundëson certifikim më të shpejt të rezultateve zgjedhore.
Ø Me projektligjin e ri KQZ ndan fonde publike shtesë në vlerën 1% të shumës së përgjithshme të alokuar për subjektin politik për secilin mandat të fituar nga gratë mbi kuotën 30% në momentin e certifikimit.
Ligji i ri për zgjedhjet do t’i jep fund padrejtësisë së gjatë që iu është bërë të gjithë mërgimtarëve, shtetasve të Kosovës. Lidhja e tyre e fuqishme me vendin e vet, kontributi i tyre i pamohueshëm në çdo kohë e në çdo rrethanë e bënë edhe më të domosdoshme nevojën që ata të jenë sa më shumë pjesë aktive e vendimmarrjes në atdheun e tyre.
Ndër vite ata u sfiduan dhe u maltretuan me procedura të komplikuara e burokratike për regjistrim, shpenzuan dhe u munduan për të zënë në kohë afatet për dërgesat postare, sakrifikuan ditët e pushimit e obligimet e tyre për të qenë fizikisht në Kosovë për të votuar dhe shpeshherë u zhgënjyen kur për arsye teknike e të neglizhencave nuk i gjenin emrat në listat e votuesve.
I gëzohemi shumë faktit që tashmë të gjithë mërgimtarëve që gëzojnë të drejtën e tyre për votim do t’ju ofrohet mundësia që ta ushtrojnë atë duke zgjedhur mundësitë më të përshtatshme për ta, qoftë duke votuar në zyrat e Ambasadave e Konsullatave, qoftë duke votuar përmes postës brenda shtetit përkatës apo drejt Kosovës.
Shpresojmë që sado pak me votimin e këtij Ligji sot t’ju dalim hak të gjithë mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin tyre politik dhe me durim priten që shteti i tyre t’i bëjë edhe me krenarë kur atyre do ju mundësohet votimi në shtetet ku jetojnë e punojnë.
Ju faleminderit të gjithëve!