Flet Vladimir Markoviq-Ju dëshmoj krimet ndaj shqiptarëve

“Edhe Zoti vajton për krimet që policia e Serbisë ka kryer në Kosovë”, thotë Vladimir Markoviq.

“Edhe Zoti vajton për krimet që policia e Serbisë ka kryer në Kosovë”, thotë Vladimir Markoviq.

Nuk ka mundur të durojë që një ditë të shkojë në varr, e bashkë me të, të varroset edhe e vërteta për krimet e kryera ndaj shqiptarëve,  e për të cilat ishte dëshmitar. Ky është Vlladimir Markoviq, ish pjesëtar i policisë së Serbisë, i cili gjatë luftës në Kosovë, ishte dëshmitar i krimeve të kryera nga shteti i tij ndaj shqiptarëve.

Në intervistën për RTK, ai rrëfen krejt atë që ka parë. Në këtë intervistë të realizuar para një viti e gjysmë, nga gazetarja Ramize Murtezi-Shala, ky dëshmitar tregon edhe për varreza të tjera masive me trupa shqiptarësh në Serbi. “Edhe Zoti vajton për krimet që policia e Serbisë ka kryer në Kosovë”, thotë Vladimir Markoviq. Menjëherë pas kësaj interviste, ai ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Shtetit në Kosovë, por edhe në Serbi, sapo është kthyer, është marrë në pyetje nga shteti i tij. RTKlive e sjell të plotë intervistën e këtij dëshmitari, transmetuar sonte në emisionin “Udhëve” në RTK1.

RTK: Zotëri Markoviq, a mund të na thoni së pari se kush jeni ju?

Markoviq: Unë jam Vladimir Markoviq nga Varvarina (Serbi) polic i pensionuar dhe kam punuar në stacionin policor në Varvarinë.

RTK: Ku keni qenë gjatë kohës së luftës?

Markoviq: Gjatë kohës së luftës në vitin 1998-99 unë kam qenë në rrethinë të Suharekës dhe në Suharekë.

RTK: Çfarë pozite keni pasur aty?

Markoviq: Unë kam pasur pozitën e policit të rregullt, i cili u ka ardhur në ndihmë dhe kam punuar në sigurim për udhëzim të udhëtarëve, por në parim kjo ka qenë pjesë e punës dhe kam qenë në vende si roje në Shtëpinë e Mallrave në Suharekë, në “Hotelin Ballkan” në Suharekë në vendin e quajtur Biraq, në hyrje të Suharekës në drejtim të Duhlës.

RTK: Në cilën periudhë keni shërbyer dhe në cilat vende në Kosovë?

Markoviq: Në Kosovë kam qenë vitin 1999, atëherë kemi ardhur si ndihmë në vende të ndryshme të punës. Në Kosovë kam qenë 3-6 muaj, dhe më së shumti kam qëndruar në Prishtinë, Pejë, Klinë, Gjurakovc dhe Lipjan.

RTK: A është kërkuar prej juve që t’ju bashkëngjitni njësive të cilat kanë luftuar në rajonin ku ju keni shërbyer?

Markoviq: Unë nuk kam qenë pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë. Kam qenë pjesëtar i policisë që nga viti 1987, si të them, unë kam qenë polic i rregullt dhe nuk kam qenë në njësi speciale dhe as nuk kam marrë pjesë në asnjë aksion të armatosur dhe as diçka të tillë.

RTK: A keni parë diçka tjetër sa keni qenë aty?

Markoviq: Kam parë shumë vjedhje që kanë ndodhur dhe që janë vjedhur nga policët lokal. Unë kam qenë njëherë me komandantin tim Draganin Tartareviq nga Varvarina, dhe ai ka dashur të kryej një bastisje dhe na ka marrë neve disave dhe kemi pritur në një rrugë përballë SUP-it në një lagje, por nuk e di si quhet ajo lagje. Ai aty i ka parë disa vetura të policëve vendor, dhe kanë shkuar në atë lagje ku shqiptarët i kishin braktisur shtëpitë e tyre nga frika prej policisë serbe. Ne kemi qenë te një punëtori e mekanikut ashtu më kujtohet ka qenë një punëtori e mekanikut dhe ka qenë komandanti Tartareviq Dragan dhe ne disa polic. Komandanti i ka ndalur aty disa persona edhe pse unë i kam thënë që mos ta bëjë atë se nuk kemi dobi asgjë, por ai nuk më ka dëgjuar dhe i ka ndaluar aty. Së pari është ndaluar një pitzgauver dhe ata kanë thënë çfarë doni, e komandanti i ka pyetur çfarë po vozitin dhe ku kanë qenë? Ata i kanë thënë “lëvizni dhe shkoni në rrotë të samës e largohu prej rruge”. Në atë veturë sa kam mundur me pa, ka pasur mallra të ndryshme teknike, ka pasur televizorë, frigoriferë, dhe gjëra të tjera, kanë qenë 5-6 brenda në pitzgauver. Kështu që thjeshtë ata kanë bërë çfarë kanë dashur, nuk kanë pasur kontroll prej askujt, mendoj se edhe zyrtarët e lartë të tyre kanë qenë të përfshirë në këtë sepse nuk i kanë ndaluar dhe nuk kanë bërë asnjë gjë në lidhje me këtë.

RTK: A të ka thënë diçka tjetër pas kësaj

Markoviq: Nuk më ka thënë diçka tjetër, vetëm më ka thënë se ti nuk i di edhe disa gjëra tjera. Unë prej viti 2004 nuk jam takuar me të, dhe çfarë ka dashur të nënkuptoj ai se unë disa gjëra nuk i di, nuk kam arritur t’i flas, sepse nuk më ka shkuar në mendje se mund të vijë deri te kjo ditë dhe të më nevojiten detaje, por supozoj se ai ka ditur më shumë detaje se unë, sepse ai ka punuar më shumë në SUP dhe ka pasur qasje më shumë në informata sesa unë

RTK: Vetëm desha t’ju pyes për fugonin që më treguat, a e dini a ka qenë furgon frigorifer apo fugon i thjeshtë

Markoviq: Po. Në momentin e parë unë nuk e kam shikuar nëse ka qenë frigorifer sepse nuk kam pasur rastin të shikoj nëse është frigorifer, në SUP- Krushevc kur e kam shikuar, e kam parë se e ka frigoriferin dhe sigurisht ishte ai fugoni që e kam parë, përveç se e kishte frigoriferin përpara. Më kujtohet kur kemi dashur të hyjmë në Duhle ka qenë i lidhur me një kabllo të hollë dhe e njëjta kabllo mu ka kujtuar kur kemi shkuar në ndërtesën e zjarrfikësve, sigurisht se bëhet fjalë për të njëjtin frigorifer.

RTK: Dhe ju nuk e dini se sa trupa të pajetë kanë qenë aty?

Markoviq: Unë kam dëgjuar se kanë qenë rreth 20 trupa të pajetë. Por nuk e di se çfarë kanë qenë a kanë qenë gra apo burra apo çfarë, vetëm kam dëgjuar se janë 20 trupa të pajetë dhe se janë nga rrethina e Suharekës dhe Rahovecit.

RTK: Tani kanë kaluar 21 vite pas lufte dhe ju keni vendosur të flisni për atë çfarë keni parë dhe çfarë keni dëgjuar, a me tregoni pse tani, pse keni pritur kaq gjatë?

Markoviq: Pse kam pritur aq gjatë? Unë vetëm në dy vitet e fundit nuk kam ditur si të vij dhe e kam planifikuar të rrëfehem sepse ato çfarë i kam treguar unë, i dinë të gjithë. Nuk është ndonjë fshehtësi, vetëm varet sa dëshirojnë të tregojnë, dhe ato çfarë i kam parë unë ato i kanë parë ndoshta edhe 100 policë të tjerë, nuk i kam parë vetëm unë. Nëse unë i tregoj do ndjehem më lehtë dhe do më lehtësohej  shpirti sepse unë i kam parë.  Akoma policët e Kosovës sillen në Serbi në mënyrë arrogante, sikurse janë sjellë në Kosovë me shqiptarët dhe si i kanë maltretuar. Të njëjtën gjë e bëjnë në Serbi, dhe thjeshtë të më lehtësojë shpirtin si njeri, të them të vërtetën për atë çfarë kam parë dhe atë çfarë kam dëgjuar.

RTK: A jeni i lirë të flisni për këto gjëra me shokët tuaj apo me dikë tjetër në Serbi për ato çfarë kanë ngjarë?

Markoviq: Me ish kolegët e mi, jo nuk jam i lirë. Për ta unë do të jem një budalla, normal unë nuk flas vetëm pas lufte, por me vite të tëra. Edhe  në vitin 1999 kur kam qenë në Kosovë kam folur. Edhe shokët e mi e dinë se çfarë mendimi kam, kur kam folur se çfarë maltretimi po përjetojnë shqiptarët nga oficerët e lartë dhe policia  e Serbisë. Unë nuk mund t’i përfshij të gjithë, por prapë është vetëm një përqindje e vogël që nuk kanë bërë asgjë.

RTK: A ndjeheni i sigurt pas dhënies të kësaj dëshmie  që të ktheheni mbrapa në Serbi?

Markoviq: Unë nuk frikohem sepse unë e kam thënë të vërtetën. Se çfarë do të bëjnë qeveria e Serbisë mund të bëjnë çfarë të dojnë. Sa më përket mua unë vetëm e kam thënë të vërtetën dhe unë e kam shpirtin e qetë dhe nuk kam për çfarë të frikohem. Dhe për mua është me rëndësi se familja ime mua më beson, dhe atë çfarë e thashë sot, ata më besojnë dhe kjo është kënaqësia ime më e madhe. Se çfarë do të mendojnë pjesa tjetër e bandës, ajo nuk më intereson.

RTK: A keni pasur rast të dini për ndonjë koleg tuajin që kanë dashur të flasin por kanë qenë të kërcënuar të mos flasin?

Markoviq: E di se disa nga kolegët e mi i dinë të gjitha, por nuk guxojnë t’i tregojnë. E di se disa akoma punojnë në shërbim policor dhe nuk mund të tregojnë sepse do të suspendohen, apo të arrestohen, të dënohen apo çfarëdo qoftë. Unë nuk kam rrezikuar asgjë, unë vetëm e kam thënë të vërtetën dhe unë e kam përjetuar këtë vetë, e kam parë dhe e kam dëgjuar. Mua nuk më ka thënë askush, e unë personalisht i kam parë këto dhe jam sëmurë për këto që i kam parë. Dhe nesër do të jetë shumë e lehtë për mua dhe për fëmijët e mi, që i kam treguar të gjitha këto dhe sa do t’ju ndihmojnë këto, nuk e di.

RTK: A mendoni se pas deklaratës tuaj do të ketë edhe të tjerë që do të dëshirojnë të tregojnë për ato që dinë

Markoviq: Unë shpresoj që do të lajmërohet edhe dikush tjetër që t’i vërtetojë këto ndoshta edhe më shumë. Më shumë shpresoj për kolegët e mi që nuk janë më në shërbimin policor, sepse ata të cilët janë akoma në shërbim, mund të frikësohen sepse janë afër pensionit dhe nuk mund të thonë të vërtetën. Në një shoqëri normale do duhet të dalin dhe të tregojnë për krimet e tyre, pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë qenë, shqiptar, serb, boshnjak, rom çfarëdo që kanë qenë, për atë çfarë kanë bërë duhet të përgjigjen. Unë nuk kam qenë në luftërat e tjera në ish Jugosllavi, por ato çfarë i kam parë në Kosovë, siç e përmenda në vitin 1999 me nga 3-4 apo 6 muaj që kam qenë,  Zoti vajton për ato çfarë kanë bërë policët e Serbisë dhe oficerët e lartë ndaj civilëve shqiptarë dhe popullit të rëndomtë.

RTK: Edhe diçka që e përmendët më herët, të mos harroj ta përmend, a mund të na tregoni po ashtu se si janë organizuar aksione të ndryshme nga ushtria dhe policia e Serbisë dhe pastaj në Serbi në TV në lajme, keni dëgjuar krejt diçka tjetër në krahasim me atë që ka ndodhë?

Markoviq: Në vitin 1999 ka ndodhur në periudhën korrik-gusht, nuk më kujtohet saktë afër hotel “Ballkan” ka qenë një lagje luksoze me shqiptarë, dhe aty në një pasdite ka ardhur një njësi speciale, nuk e di se nga kanë ardhur apo a kanë qenë policë aktiv apo rezervistë, dhe një mëngjes kanë filluar ta djegin atë lagje të shqiptarëve e cila ka qenë afër hotelit “Ballkan”. Kjo ka qenë sa më kujtohet një lagje luksoze me shtëpia të bukura të shqiptarëve. Të nesërmen shqiptarët në ora 6:00 të mëngjesit, janë vendosur në një shkollë në afërsi të hotelit, diku afër 100 metra, dhe rreth orës 7 deri 7.30, ne i kemi dëgjuar britmat dhe e kemi parë duke u djegur atë lagje ku i kanë djegur krejt atë çfarë kanë mundur, dhe aty kanë filluar me një breshëri të shtënave. Tani, a ka vdekur dikush apo është vrarë, nuk mund ta di saktë, nuk mund të kujtohem a ka pasur viktima civilë. Por çfarë më kujtohet shumë mirë atë ditë në mbrëmje kur kam qenë në  hotelin “Ballkan”, aty në korridor ka qenë TV, dhe kur i kam shikuar lajmet kanë qenë “Dnevnik” të Radio Televizionit të Serbisë, ku folësja ka thënë se në Suharekë sot gjatë ditës, UÇK ka dashur të godet hotelin “Ballkan” dhe gjatë goditjes me minahedhës, ata kanë goditur gabimisht. Në vend se të goditin hotelin “Ballkan” i kanë goditur shtëpitë në lagjen e shqiptarëve. Kush ka guxuar të bëjë zë, kur ne i kemi parë ato dhe jemi befasuar se si e kanë dhënë lajmin, kur i kemi parë policët që i kanë djegur ato deri në ora 11-12:00, të gjitha i kanë djegur dhe normalisht i kanë plaçkitur të gjitha dhe pastaj i kanë djegur. Por lajmet në “Dnevnik” RTS 1, kanë lajmëruar se shqiptarët kanë goditur me minahedhës duke e sulmuar hotelin “Ballkan”, ku kanë qenë të vendosur policia e Serbisë. Por na kemi qenë të vendosur aty, e nuk ka goditur askush. Por ata kanë thënë se pjesëtarë të UÇK-së e kanë sulmuar hotelin, por nuk kanë mundur ta godasin dhe i kanë goditur shtëpitë në lagje dhe e gjithë lagjja është djegur.

RTK: Unë po i shoh edhe disa fotografi këtu që i ke, a mund të na tregosh se kush është në foto?

Markoviq: Ky është kolegu nga Varvarini ku jemi takuar në Suharekë, fotoja është prej vitit 1998 ku jemi fotografuar në një kafeteri ku pronar ka qenë vjehrri i boshnjakut, nuk ia di emrin. Këto janë fotot ku kemi qenë për një muaj rresht në një shtëpi të një shqiptari në vitin 1999 në Duhle, këta dy janë kolegët e mi nga Varvarini. Kjo është fotoja ku jemi fotografuar në atë shtëpi, aty kemi qëndruar një muaj, nuk i kemi veshur uniformat, kemi qëndruar në diell sepse aty askush as nuk na ka sulmuar as nuk e kemi sulmuar askënd, dhe as nuk e kemi parë askënd aty nga UÇK-ja apo dikën tjetër. Kjo foto është nga vitet e 90-ta kur kam qenë në stacionin policor në Pejë, e kjo është foto tjetër nga vitet e 90-ta nga Patriarkanës i Manastirit në Pejë, unë jam në foto. Kjo është në rrethinë, rruga për në Pejë për në kështjellë lartë aty jemi fotografuar në vitin 1990, kur kam qenë në Pejë. Kjo është fotoja ime kur kam punuar në shërbimin policor të rregullt në Varvarin, kjo po ashtu afër Patriarkanës në Pejë në vitin 1999. Edhe kjo në Patriarkanën  e Manastirin në Pejë në vitin 1999, edhe kjo në vitin 1999 në rrethinën e Pejës. Kjo foto po ashtu është në Duhle në vitin 1999 në atë shtëpinë e njëjtë të shqiptarit ku së bashku me kolegët e mi, kemi qëndruar rreth një muaj. Kjo foto në vitin 1974-75 nga shkolla e mesme në Ministrinë për Punë të Brendshme në Kamenicë të Sremit kur e kam kryer shkollën për polic. Kjo po ashtu është nga Kamenica e Sremit nga shkolla e mesme në vitin 1974 ose 1985.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika