Franca ka lënë të kuptohet se mund të vendosë sanksione ndaj Polonisë, përfshirë edhe ato financiare, për shkak të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese polake se disa nene të kartës së Bashkimit Evropian janë jokushtetuese në atë vend, transmeton Kosova Post.
Këtë e deklaroi ministri francez për Çështjet Evropiane, Clemen Bone, me mesazhin se askush nuk po detyron askënd që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Evropa është një zgjedhje sovrane, kolektive. Ju gjithashtu mund ta lini atë, siç e pamë në shembullin e Brexit, “tha Bone.
Në të njëjtën kohë, ministri francez vlerësoi se ai nuk beson se Polonia dëshiron të largohet nga BE.
“Por unë besoj se ajo po rrezikon, duke mos respektuar parimet e përgjithshme,” tha Bone.
Bone vuri në pah se, mbi të gjitha, është e nevojshme të vazhdohet dialogu politik.
“Sidoqoftë, nëse dialogu nuk jep fryte, ka lloje të ndryshme sanksionesh, përfshirë edhe ato financiare”, tha Bone për mediat franceze.
Sipas tij, asnjë vendim konkret për çështjen e Polonisë nuk do të merret në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit, i cili fillon sot.
“Ne do t’i japim një mundësi kryeministrit polak të sqarojë situatën. Ai e bëri këtë para Parlamentit Evropian të martën, por fatkeqësisht, kjo nuk ishte shumë bindëse, qëllimi i tij ishte më shumë provokim,” tha ministri francez.
Bone theksoi se procedura e vendosjes së sanksioneve mund të fillohet nëse Polonia nuk ndryshon pozicionin e saj në muajt e ardhshëm.
Kujtojmë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë më 7 tetor, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, deklaroi se Brukseli nuk do të lejojë që Polonia të rrezikojë vlerat e BE-së.
Von der Layen tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake paraqet një kërcënim për parimet themelore të Bashkimit, shkruan sputnik.”Sundimi i ligjit është ngjitësi që lidh Bashkimin tonë,” tha ajo gjatë një debati në Strasburg mbi sundimin e ligjit në Poloni./sh.o./Kosova Post/