Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, tha se nuk kishte informacion të saktë se agresori është i ekstremit të djathtë. “Agresori edhe sikur të shënjestrojë në mënyrë të vetëdijshme të huajt, nuk mund të thuhet se ka shënjestruar veçanërisht kurdët”, transmeton Kosova Post.
Pas fjalimit të Darmanin dje në vendngjarje, një grup pro-organizatës terroriste PKK pretendonte se sulmi në zonën e 10-të të Parisit është kryer kundër tyre dhe sulmuan policët në zonë si dhe dëmtuan automjetet dhe dyqanet në bulevard.
Në ngjarjet ku policia ndërhyri me gaz lotsjellës ndaj agresorëve u plagosën të paktën 6 policë.
Dje një shtetas francez në bulevardin “Enghien Caddesi” hapi zjarr me armë ndaj personave që ndodheshin përreth. Sipas të dhënave paraprake humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 3 të tjerë, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Në mediat franceze u bë e ditur se në vendin e ngjarjes u arrestua agresori 69-vjeçar “William M.”. Agresori thuhet se është shtetas francez i dalë në pension nga kompania zyrtare hekurudhore franceze SNCF.
Në lajme bëhet e ditur se në regjistrat e policisë është shënuar që agresori më parë në vitet 2016 dhe 2021 ka kryer 2 tentativa për vrasje ndërsa në dhjetor 2021 ka sulmuar me shpatë qendrën e emigrantëve në Paris duke plagosur 2 persona, se për këtë arsye është burgosur dhe se kishte dalë nga burgu këtë muaj.