Gara për qytetërim

Gara për qytetërim

Ambasadori Ibrahim Kalin

Debati madhor i fundit për qytetërimin u nxit mbi dy dekada më parë nga libri me titull “Përplasja e Qytetërimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror”, i politologut të famshëm amerikan, Samuel Huntington. Pavarësisht synimeve të Huntingtonit, ky debat u përdor për të justifikuar dizajnë të rinj imperialist menjëherë në përfundim të epokës pas Luftës së Ftohtë. Ai gjithashtu minoi mundësinë e ndonjë diskutimi kuptimplotë të koncepteve të qytetarisë dhe qytetërimit. Ne të gjithë duhet të jemi më të kujdesshëm duke pasur parasysh historinë e dyshimtë të konceptit, por kjo nuk do të thotë që bashkë me të thatin duhet të djegim edhe të njomin.

Imperializmi evropian i shekullit të 19-të përdori paturpësisht fjalën qytetërim për të krijuar një hierarki të kulturave dhe shoqërive, si dhe për të justifikuar politikat e tij pushtuese dhe shfrytëzuese/kolonizuese. Misioni qytetërues u paraqit si një proces i detyruar për joevropianët në interes të tyre, me një nënkuptim humanist dhe moralist të vetëkënaqjes. Mirëpo realiteti është se aventurat imperialiste evropiane nuk sollën kulturë, ligj, rend ose qytetërim në Azi apo Afrikë. Përkundrazi, ato krijuan përçarje të thella midis popujve evropianë dhe joevropianë. Nga Karl Marx dhe Rudyard Kipling e deri te John Stuart Mill dhe Thomas Macaulay, shumë intelektualë evropianë predikuan bekimet e ndërhyrjeve perëndimore në të ashtuquajturat shoqëri despotike aziatike. E vërteta e thjeshtë, megjithatë, është se nuk ka asgjë të civilizuar, humane apo të virtytshme në lidhje me kolonializmin dhe imperializmin.

A kanë ndryshuar ndopak parametrat kulturorë që nga shekulli 19-të për të justifikuar përdorimin e duhur të termit qytetërim? Kjo varet nga këndvështrimi. Ka ndryshime domethënëse në aspiratat tona për të kapërcyer hierarkitë kulturore dhe civilizuese në interes të njerëzimit të përbashkët. Rritja e diskursit të pluralizmit, multikulturalizmit dhe bashkëjetesës është e lavdërueshme dhe ndoshta meriton artikulim të mëtejshëm. Megjithatë trashëgimia e kolonializmit është ende mjaft e gjallë në shekullin 21-të, me nocione dhe matrica të reja të dominimit, hegjemonisë dhe pretendimeve për superioritet.

Kjo e bën debatin mbi qytetërimin paksëpaku të dyshimtë. Pa marrë parasysh sa ne përpiqemi ta shpëtojmë konceptin nga manipuluesit e tij imperialistë, historia vazhdon të na fanitet në Afrikë, në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme, Azi dhe gjetkë. S’është vetëm rrota e historisë që po kthehet për të na ndalur, por gjithashtu realiteti i padrejtë dhe i çoroditur i rendit botëror aktual po na detyron të dyshojmë në lidhje me premtimet e më të mirës së botëve.

Në aspektin konceptual, ka një tjetër element që e bën debatin e civilizimit të dyshimtë. Sulmi postmodern mbi çdo narrativë të madhe ka dëmtuar të gjitha konceptet dhe idetë kryesore, të cilat janë përdorur për t’i dhënë kuptim udhëtimit të njerëzimit në planetin tonë. Për ndjeshmërinë e qarqeve postmoderne dhe antirealiste gjithnjë e më në rritje, qytetërimi është shumë i madh dhe amorf për t’u përdorur për të kuptuar kulturën, shoqërinë, historinë ose individin. Ai përgjithëson shumë dhe, rrjedhimisht, anashkalon detaje e nuanca të rëndësishme. Dhe, sipas tyre, duke qenë se epoka e narrativeve të mëdha ka marrë fund, ne duhet t’u largohemi termave madhështore si qytetërimi.

Por historia nuk mbaron këtu, sikurse postmodernistët do të donin të përfundonte. Ironia e madhe është se vetë postmodernizmi është bërë një narrativë kolosale, që errëson më shumë sesa qartëson kuptueshmërinë tonë për botën në të cilën jetojmë. Kontributet analitike të tij janë shpeshherë të mbuluara nga tendencat antirealiste dhe madje nihiliste. Për më tepër, realitetet që jetojmë çdo ditë të japin përshtypjen se dizajnët e mëdhenj funksionojnë ende në të gjitha sferat e jetës, nga politika globale e deri te financa ndërkombëtare. Bota nuk bëhet një vend më i pastër, më i drejtë dhe më pak i rrezikshëm vetëm pse ne mendojmë në përmasa më të vogla dhe me kujdes ndoshta më konceptual. Përkundrazi, luftërat, pushtimet, garat për armatim, armët e shkatërrimit në masë, përhapja e konsumizmit dhe e kulturës së argëtimit vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë dhe kryefjala e përkëdhelur e më të mirës së botëve, pra, individi racional, i pavarur dhe i lirë zgërlaqet nën të gjitha këto. Këto janë fakte shumë moderne – të shekujve 19. dhe 20. – të cilat nuk është se kanë ndryshuar shumë. Mendimi postmodern nuk e ndihmoi botën të kapërcejë shqetësimet e modernizmit.

Do të nevojitet një përpjekje serioze për të shpëtuar qytetërimin nga prozhmuesit dhe manipuluesit e tij. Por duhet të fillojë diku. Pse? Sepse ajo çfarë e bën konceptin domethënës dhe të përshtatshëm mbetet e rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndoshta një pikënisje e mirë është të nxjerrësh mësime nga historia e ndërlikuar e konceptit dhe shmangia e gabimeve të së kaluarës. Ne s’duhet ta lartësojmë qytetërimin për ta bërë atë diçka të denjë për vëmendje. As nuk duhet ta përdorim atë për qëllime politike.

Në një formë mjaft të thjeshtë dhe modeste, ne mund ta përfytyrojmë qytetërimin si shumën totale të perceptimeve, qëndrimeve dhe veprimeve që konsiderohen të civilizuara. Të qenit i civilizuar ka të bëjë me jetesën e një jete të mirë, siç është quajtur nga Aristoteli; si dhe me ndërtimin e një qyteti të virtytshëm, siç e ka thënë Al-Farabi. Është një rrugë për të qenë racional, i virtytshëm, i matur dhe i respektueshëm. Kjo është një mënyrë për të shijuar praninë dhe shoqërinë e të tjerëve për të bërë të mundur që të pasurojmë veten tonë me kontributin e tyre, në vend që të përpiqemi t’i dominojmë apo t’i shfrytëzojmë ata. Është ta shohim veten si pjesë e një të vërtete më të madhe – një realiteti ku ne s’jemi padronë, por kujdestarë dhe shërbyes. Është një ndjeshmëri morale dhe estetike, e cila jep gjithçka që meriton dhe mban gjërat në ekuilibër.

Këto pak përkufizime të thjeshta mund të na ndihmojnë që të shohim se kush është dhe kush s’është i civilizuar, si dhe kush mund të pretendojë për të pasur një qytetërim. Ju mund të keni ekonominë më të madhe, ushtrinë më të fuqishme dhe qytetet më bujshme në botë, por këto nuk ju bëjnë të civilizuar. Shoqëritë e mëdha industriale nuk janë të huaja për aktet e barbarizmit. Një fshatar i thjeshtë në Afrikë ose Azi mund të ketë cilësitë më të mira të qytetarisë me qëndrimet e tij humane dhe të kujdesshme ndaj natyrës, kafshëve dhe njerëzve të tjerë. Mungesa e fuqisë ekonomike dhe e pajisjeve teknike nuk e bën dikë më pak të civilizuar. Kapaciteti material mund të rrëshqasë lehtësisht në barbarizëm, sikurse dëshmojnë dy luftërat botërore, holokausti, gjenocidi boshnjak (i Srebrenicës), ndryshimet klimatike dhe katastrofat e tjera të epokës moderne.

Të lëvdohemi për sundimin tonë material mbi natyrën s’bën gjë tjetër veçse na largon gjithnjë e më shumë nga çdo nocion i qytetarisë dhe i qytetërimit. Sado që ta sforcoj imagjinatën, unë përsëri nuk arrij dot të mendoj se mund të pretendojmë të jemi të civilizuar kur miliona njerëz vdesin, vuajnë nga uria, detyrohen të emigrojnë, të bëhen refugjatë dhe të heqin të zitë e ullirit nga varfëria ekstreme. Civilizimi nis me veprime të thjeshta dhe themelore të kujdesit, respektit dhe dashurisë. Nëse dikush nuk i gëzon këto cilësi, s’ka rëndësi nëse ai jeton në një rrokaqiell në Manhattan apo në një lagje të varfër.

Shkurtimisht, ne s’mund të pretendojmë të kemi një qytetërim pa u civilizuar. Dhe të jesh i civilizuar nuk ka të bëjë me zotërimin material ose me mjetet teknologjike, por me të qenit njeri në kuptimin më rrënjësor të fjalës.

Zëdhënës dhe nënsekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

You may also like

Haliti: Asnjë oficer ushtarak s’ka hyrë në Kosovë si Forcë e Armatosur e Republikës së Kosovës

Xhavit Haliti, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të