Gazetari i Kosova Post, ka publikuar fotografi nga parku i kryeqytetit, Gërmia.
Mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë kanë filluar reshjet e dëborës, pas ditëve me temperatura të larta.
Pas ditëve me ajër të ndotur, qytetarët e Prishtinës e kanë një vend ku mund ta kalojnë kohën e lirë pa këtë brengë. Por duket se rënia e dëborës në ditët e para të pranverës e ka bërë të veten, pasi një numër i vogël qytetarësh kishin vendosur sot ta frekuentonin Parkun e Gërmisë, përcjell Kosova Post.
Në vend të luleve, pranvera e këtij viti solli dëborën e bardhë. Petku i bardhë i borës që kishte mbuluar Gërminë, sot vende-vende kishte filluar të shkrijë, e aty këtu ishte shndërruar në akull.
Ndryshe nga të dielat tjera, këndet e lojërave për fëmijë ishin pothuajse të zbrazëta. Derisa ata shiheshin tek ngjiteshin drejt shtigjeve malore për të rrëshqitur me saja.
Meqenëse fëmijët janë ata që i gëzohen më së shumti borës, edhe Alza me Aurorën, kishin dalë sot për të lozur në parkun e Gërmisë. E megjithatë, është Alza ajo që ka shprehur habi për borën që ra këtë fillim-prill.