Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në konferencën e përbashkët me homologun e saj kroat është pyetur edhe për raportimet e fundit në lidhje me qëndrimin e saj ndaj Gjykatës Speciale derisa s’ka qenë në krye të diplomacisë.
Në pyetjen se a ka qenë ndonjëherë dëshmitare në Speciale, Gërvalla u përgjigj shkurt: “As nuk kam qenë dhe as nuk jam”.
Për këtë çështje më gjerësisht, Gërvalla ka folur në një postim të saj të mëhershëm ku tha se asnjëherë nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.
“Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh. Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit”, kishte thënë Gërvalla.