Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur për shanset e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ajo ka thënë se mundësitë janë të mira që Kosova të kalojë në etapën e radhës për t’u anëtarësuar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.
“Ne shumë shpresojmë që të kemi një kalim nga etapa e parë në të dytën, pra në Asamblenë Parlamentare… Nuk mund të ketë parashikime për datat e muajt, por nuk do të lëmë gurë pa lëvizur që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës për shumë arsye, jo veç pse është organizatë ndërkombëtarë e sukses politik, por është organizatë që më së miri mishëron në vetvete mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve”, ka thënë Gërvalla në Klan Kosova.
Ajo tha se Kosova do të ketë sfida por që beson që me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë të ecin tutje.
“Të gjithë e dimë që ka sfida, që ka shtete që nuk e njohin Kosovën, që janë pjesë e KiE-së, e dimë që Serbia shumë fuqishëm, në vend që ta përkrah anëtarësimin e Kosovës në KE, ajo e lufton me të gjitha mjetet, megjithatë mendojmë që falë përkrahjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe punës që është bërë me kryeqytetet, shanset janë të mira që të kalojmë në etapën tjetër, ku pastaj fillojmë një proces shumë politik”, ka shtuar ajo.