Në vazhdën e takimeve bilaterale me zyrtarë të lartë shtetërorë të Belgjikës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, zhvilloi takime të ndara në Bruksel me z. Sammy Mahdi, sekretar i Shtetit për Azilin dhe Migracionin si dhe kryetaren e Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve znj.Els Van Hoof, raporton Kosova Post.
Gjatë takimit me sekretarin Mahdi biseduan detajisht për tema të rëndësishme siç janë mërgata dhe diaspora e Kosovës në Belgjikë, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe çështja e riatdhesimit.
“Qeveria jonë mbetet e përkushtuar në vazhdimin e punës së mirë në menaxhimin e migracionit dhe në ripranimin e vazhdueshëm dhe ri-integrimin e të kthyerve”, ka plotësuar Gërvalla.
Tutje ka theksuar se ka kaluar shumë kohë qyshkur Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe ri-konfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar për liberalizimin e vizave. Zvarritja e këtij procesi është duke ndikuar negativisht në shumë dimensione shoqërore dhe ekonomike. “Ne kemi nevojë për mbështetje në këtë proces, në mënyrë që të mos e pësojnë padrejtësisht kryesisht bizneset dhe të rinjtë, të cilët janë të rinjtë e vetëm në Evropë që nuk kanë mundësi të lëvizin lirshëm”, shtoi më tej ajo.
Gjatë takimit me znj.Els Van Hoof, kryetare e Komitetit për Punë të Jashtme, Gërvalla ritheksoi përkushtimin e Kosovës për t’u integruar si në BE ashtu dhe në të gjitha organizatat e aleancat e vendeve demokratike.
Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe prioritetet që ka qeveria e re e Kosovës, për çka Gërvalla nënvizoi se forcimi i sundimit të ligjit është kryefjala e institucioneve vendore.
Edhe në këtë takim ministrja shfrytëzoi rastin të kërkoj mbështetje për çështjen e liberalizimit të vizave në mënyrë që ky proces të përmbyllet sa më parë.
Në vijim u shkëmbyen mendimet dhe përvojat rreth zhvillimeve rajonale, përcaktimit proevropian të Kosovës dhe shtimit të përpjekjeve të përbashkëta për shmangien e rreziqeve që i kanosen rajonit nga influencat e tjera joprogresive dhe jodemokratike./KosovaPost/