“Është e rëndësishme që kemi filluar një proces që do të zgjasë deri sa të arrijmë në përfundimin ku duam”.
Kështu tha ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, derisa përmendi përfitimet e Kosovës në rast të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Së pari qasja për qytetaret e Republikës së Kosovës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg, bërja pjesë e procesit të Bolonjës, i cili do të lehtësonte që studentët e profesionistët tanë në njohjen e diplomave dhe të profesioneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale ku Asociacioni i Komunave, momentalisht ka një rol si vëzhgues, pastaj Kuvendi i Republikës së Kosovës që sot ka të drejtë të paraqesë kërkesën për të marrë statusin e mysafirit në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së, si dhe në mekanizmat e tjerë,etj. Se lista e përfitimeve është shumë e gjatë”- tha Gërvalla në një intervistë për RTK-në.
Prandaj , sipas saj, aplikimi për anëtarësim për në KE është një ditë shumë e rëndësishme për ne, por edhe për Këshillin e Evropës.
Ajo, veç tjerash, nuk përmendi data se kur mund të anëtarësohej Kosova në Këshillin e Evropës.
“Data për anëtarësim nuk mund ta themi , sepse ky është një proces i gjatë e që ka filluar sot. Proces në të cilin Kosova është mjaft e përgatitur për ta kaluar sa më shpejtë, por nuk duhet harruar se KE ashtu edhe BE dhe gjithë kontinenti ndodhet në një situatë të rëndë për shkak të luftës në Ukrainë. Prandaj nuk mund të themi ndonjë datë”, sqaroi ajo.
Më tej, ministrja Gërvalla shtoi se procesi i anëtarësimit varet nga angazhimi i institucioneve tona dha gatishmëria e BE-së.
Ndërkaq lidhur me reagimet e Serbisë për këtë angazhim të Kosovës për anëtarësim në KE, ministrja Gërvalla theksoi se Serbia do të duhej të merret me punët e saja të brendshme, që të deklarohet qartë nëse është pro BE-së apo kundër, ne dimë se populli serb atje është dëshmuar kundër BE-së, pastaj të dëshmojë qartë planin për implementimin e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilin ne dhe shtetet e rajonit e kemi bërë, si dhe të dëshmojë planin e procesit të dialogut me ne, të cilin e kemi filluar e vazhduar, por pa ndonjë vendim të zbatuar nga marrëveshjet e arrira në procesin e dialogut dhe, fundja, ne shpresojmë të dal në krah të shteteve tjera në përkrahje për anëtarësim tonin në KE.
Ndërsa për anëtarësimin e Kosovës në KE, ministrja Gërvalla deklaroi se ne duhet të punojmë fort në sigurimin e secilës votë për mbështetjen në anëtarësim në KE.