Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj në shtetin e Kuvajtit, ka marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të tre pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kampin Arfixhan, të cilët po përmbyllin shërbimin në mision paqësor në Kuvajt.
Majori Mentor Ibrahimi, komandant i Njësisë së FSK-së në Kuvajt, Kapiteni Kreshnik Haxhiu, Lejtnanti Dhurim Shemsedini si dhe Hyjnor Lajqi dhe Mehmet Mehmeti, u dekoruan nga Forca e Përbashkët e Kombinuar (Inherent Resolve) me medaljen “Army Commendation Medal” për kontributin e tyre në kuadër forcës shumëkombëshe.
Ministrja Gërvalla tha se përmes këtij misioni, Kosova dëshmon kontributin e saj për paqen globale përkrah partnerëve të saj strategjik.
“Ky rol që ka marrë Kosova përmes jush është historik, pasi që e vendos republikën tonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë strategjik për të kontribuuar për paqen dhe sigurinë në botë”, u është drejtuar ajo pjesëtarëve të FSK-së duke kujtuar se ky mision paqeruajtës është realizuar falë ShBA-ve si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowas.