I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe këtë të enjte është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin biseduan për zgjidhjen e targave dhe ҁështjeve të tjera.
Giacobbe tha se ishte takim i mbarë me kryeministrin Kurti, teksa tha se në këtë takim u fol mbi rëndësinë e riangazhimit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe se nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet mes Kosovës e Serbisë pas situatës së krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga ana e qeverisë.
“Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar Giacobbe në llogarinë e tij në Twitter, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se që nga dita e hënë, Njësia Speciale e Kosovës është duke qëndruar në pikëkalimet kufitare në Bërnjak e Jarinjë për ta mbajtur nën kontrollë situatën e krijuar pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat ndaj veturave që hyjnë nga Serbia për në Kosovë.