Data 25 gusht 2015 i gjeti liderët e atëhershëm kosovarë në Bruksel për të nënshkruar katër marrëveshje për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.
Delegacioni i Kosovës, në krye ish kryeministrin e atëhershëm, Isa Mustafën dhe ai i Serbisë, me Aleksandër Vuçiq, në prani të shefes së atëhershme të diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, nënshkruan Marrëveshjen për Telekomunikacionin, Marrëveshjen për Energjinë, për lirimin e qarkullimit mbi urën e lumit Ibër dhe marrëveshjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ish kreu i ekzekutivit, Isa Musta, atë kohë tha se “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive” dhe se “marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.
Njejtë si Mustafa pati deklaruar edhe ish Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, i cili tha se “marrëveshjet janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës” dhe se “Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.
Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pati deklaruar se se ky asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive, me kryetarin e vet, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin, transmeton Klankosova.tv.
Është kryeministri aktual, Albin Kurti, që ka kundërshtuar arritjen e këtyre marrëveshjeve të arritura, prej kohës sa ka qenë në opozitë.
Ai ka pohuar se nuk mund të ketë asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është përcaktuar nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili u bë publik me 23 dhjetor 2015, ku thuhet se 23 pika të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.