Ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht, megjithatë dyshimet e para janë se mbetjet i takojnë trupit të shtetasit Bedri Rexhepi, i zhdukur më shumë se një vit më parë.
Gjenden mbetje njerëzore në një mal në Novobërdë, dyshohet e janë të Bedri Rexhepit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të B.R.
Prokuroria deklaron se është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë.
“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës”, shkruan në deklaratë.
“Gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara)”.
Prokuroria sqaron se këto mbetje dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” të shtetasit B.R dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore.
“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar”.
Ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht, megjithatë dyshimet e para janë se mbetjet i takojnë trupit të shtetasit Bedri Rexhepi, i zhdukur më shumë se një vit më parë.
Në lidhje me këtë rast, avokat i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, ka konfirmuar në llogarinë e tij në Facebook, se ka zhvillime te reja ne rastin e Bedri Rexhepit.
“Por, në emër të familjes ju lusim për mirëkuptim, derisa organet e hetuesisë të dalin me njoftim zyrtar, i cili do pasojë së shpejti”, deklaroi avokati Berisha.
“Me kërkesën e familjes Rexhepi, unë jam angazhuar në cilësi të përfaqësuesit të tyre, për të punuar ngushtësisht me Prokurorinë dhe kontribuuar në betejën për të marrë drejtësi për Bedriun, familjen dhe miqtë e tij”.
Bedri Rexhepi për herë të fundit, sipas informacioneve të familjarëve, është parë me datën 8 prill 2021 në Novobërdë dhe nga aty më asgjë nuk dihej për të./rtk