Një nga pasagjerët që u konsideruan të zhdukur pasi një traget mori flakë pranë Greqisë u gjet i gjallë. Ekipet e shpëtimit e panë njeriun pranë anijes, shkruan BBC.
Ekipet e shpëtimit e gjetën të mbijetuarin të dielën në pjesën e prapme të anijes, e cila u tërhoq në breg me një rimorkiator, tha Roja Bregdetare. Pamjet e televizionit grek treguan një burrë duke ngjitur një shkallë nga një traget në një rimorkiator të lidhur me të.
Kujtojmë, autoritetet greke njoftuan dje se janë në kërkim të 12 pasagjerëve të zhdukur pas zjarrit të tragetit. Qindra persona u shpëtuan nga një traget që mori flakë mëngjesin e së premtes teksa lundronte mes Greqisë dhe Italisë.
Për momentin nuk dihet shkaku i zjarrit
Roja Bregdetare tha se shumica e 239 pasagjerëve dhe 51 anëtarëve të ekuipazhit që lundruan me tragetin Euroferry Olympia nën flamurin italian hipën në anijet ndihmëse. Autoritetet thanë se nuk kishte të vdekur apo lëndime serioze.
Një person kishte vështirësi në frymëmarrje dhe u dërgua në spital. Anija lundroi nga porti i Igumenicës, porti më i madh në bregun perëndimor të Greqisë dhe u nis drejt portit italian të Brindisit, rreth 9 orë larg.
Zjarri, shkaku i të cilit nuk dihet, ka rënë teksa anija ndodhej pranë Korfuzit në detin Jon. Anija po lundronte nën flamurin italian dhe po udhëtonte nga Igumenica në Greqinë veriperëndimore për në Brindisi në Italinë jugore kur mori flakë.
Një zëdhënës i Grimaldi Lines, pronar i Euroferry Olympia, i tha Reuters se shkaku i zjarrit ishte ende duke u hetuar.