Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer sot tha se ekstremizmi dhe antisemitizmi i krahut të djathtë mbeten kërcënimi më i madh për sigurinë e vendit, transmeton Kosova Post.
Duke paraqitur Raportin vjetor të shërbimit sekret të brendshëm të Gjermanisë (Verfassungsschutz) në Berlin, Seehofer tha se ekstremizmi dhe antisemitizmi i krahut të djathtë “ende janë kërcënimi më i madh për sigurinë në Gjermani”.
Pandemia e COVID-19 ka kontribuar gjithashtu në forcimin e skenës së krahut të djathtë të vendit pasi protestat anti-korona u shfrytëzuan nga e djathta ekstreme për objektivat e tyre politike, shtoi ai.
Numri i njerëzve me qëndrime ekstremiste është rritur përsëri në vend vitin e kaluar, theksoi ministri i Brendshëm.
Numri i tyre u rrit me 3.8 për qind në 33.300, me gati 40 për qind të tyre shiheshin si të dhunshëm, të gatshëm për të përdorur dhunë, ose mbështetës të dhunës.
Qeveria e qendrës së djathtë e kancelares Angela Merkel raportoi muajin e kaluar se numri i krimeve të kryera nga ekstremistët e krahut të djathtë në Gjermaninë e pasluftës ka shënuar rritje rekord në vitin 2020.
Autoritetet vitin e kaluar regjistruan 23.604 krime të natyrës së ekstremit të djathtë, një rritje prej mbi 5 për qind krahasuar me vitin para, dhe shifra më e lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2001.
Gjermania ka qenë dëshmitare e racizmit dhe ksenofobisë në rritje në vitet e fundit, e nxitur nga propaganda e ekstremit të djathtë, antisemite dhe anti-muslimane, përfshirë atë të partisë kryesore të opozitës Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Për vite të tëra, aktivistët migrantë kanë kritikuar qeverinë gjermane për dështimin për të vërejtur kërcënimin në rritje të paraqitur nga ekstremistët e djathtë.(AA)