Pothuajse dy vite pas sulmit terrorist të ekstremit të djathtë në Hanau, familjet e viktimave po fajësojnë autoritetet gjermane për një sërë dështimesh katastrofike dhe thonë se ata po jetojnë në frikë për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme, transmeton KosovaPost.
Më 19 shkurt të vitit 2020, ekstremisti racist, Tobias Rathjen, vrau nëntë të rinj në qytetin Hanau para se të vriste veten dhe nënën e tij në shtëpinë e tyre. Të gjitha viktimat ishin me prejardhje emigrante.
Cetin Gultekin, vëllai i të cilit u vra në sulmin terrorist, për AA tha se shumë pyetje për dështimet e autoriteteve akoma janë pa përgjigje.
Gultekin tha se ekstremisti i krahut të djathtë u kishte dërguar disa letra autoriteteve disa muaj para sulmit dhe nuk i fshehu motivet e tij raciste, por autoritetet nuk arritën të veprojnë derisa ishte tepër vonë.
“Akoma nuk e kuptojmë pse prokurorët nuk morën masat e nevojshme, pse nuk dërguan të paktën dy policë për të kontrolluar shtëpinë e tij, pasi e dinin se ai ligjërisht posedonte dy armë”, tha ai.
Sulmuesi 43-vjeçar disa ditë para sulmit postoi video në internet duke detajuar pikëpamjet e tij ksenofobe dhe planet e spastrimit etnik.
Hetimet më pas zbuluan se ai ishte i njohur për policinë për probleme të shëndetit mendor, të paktën që nga viti 2002, por megjithatë ai arriti të marrë patentën për armë zjarri.
Gultekin tha se dy vite pas sulmit, familjet e viktimave ende ndjehen të kërcënuara, këtë herë nga babai i sulmuesit.
“Djali i tij vrau vëllaun tim dhe tani ai po kërcënon se do të na vrasë”, tha Gultekin, duke shtuar se 74-vjeçari Hans-Gerd Rathjen, i cili jeton në të njëjtën lagje, vazhdon të flasë për të hequr qafe të huajt.
“Ai është si një bombë me sahat, gati për të shpërthyer në çdo kohë”, paralajmëroi Gultekin, duke përsëritur thirrjet e tij drejtuar autoriteteve për të marrë masat e nevojshme për të parandaluar një tjetër sulm racist në qytet.
Hans-Gerd Rathjen deri më tani nuk e ka dënuar sulmin terrorist dhe po ashtu ka argumentuar se djali i tij ishte i pafajshëm. Sipas raporteve në mediat lokale, burri njihet nga autoritetet si ndjekës i teorive të konspiracionit dhe i pikëpamjeve raciste dhe ksenofobe.
Gjermania viteve të fundit ka qenë dëshmitare e racizmit në rritje të nxitur nga partitë e ekstremit të djathtë, të cilat kanë shfrytëzuar frikën për një krizë refugjatësh.
Autoritetet po përballen me kritika, veçanërisht nga organizatat e të drejtave të njeriut, për nënvlerësimin e kërcënimit të ekstremit të djathtë dhe për mos hetimin serioz të krimeve të kryera nga ekstremistët e krahut të djathtë./AA