Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar pas zhvillimeve të sotme në veri të Kosovë ku u lënduan dhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it pas përleshjes me protestuesit serbë në Zveçan.
Në deklaratë e ministrisë dënohet dhuna e përdorur, duke bërë thirrje për ndalimin e çdo veprimi të dhunshëm.
“Dënojmë me shprehjet më të forta sulmet e dhunshme të papranueshme në veri të Kosovës pasditen e sotme, duke shkaktuar të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR/ NATO-s dhe disa civilë. Mendimet tona janë me të lënduarit, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë. Ne bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune dhe të çdo veprimi që ndez tensionet. De-përshkallëzimi tani nevojitet urgjentisht”, thuhet në deklaratë, raporton teve1.info
Nga Gjermania u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen për qetësim të situatës dhe të vazhdojnë punën për zbatimin e marrëveshjes.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në bisedime për këtë qëllim pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të vazhdojnë të punojnë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, të arritur në shkurt dhe mars, duke përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne mbështesim plotësisht Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák në përpjekjet e tij për të ulur tensionet”, thuhet nga Ministria e Jashtme Gjermane.