Gjermania do të marrë masa urgjente për të frenuar varësinë nga përdorimi i gazit rus.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck tha se një ndër masat do të jetë rritja e përdorimit të qymyrit.
“Për të reduktuar konsumin e gazit, duhet të përdoret më pak gaz për të prodhuar energji elektrike. Termocentralet me qymyr do të duhet të përdoren më shumë në vend të tyre. Është e hidhur, por e domosdoshme për reduktimin e konsumit të gazit,” tha Habeck në deklaratë.
Qeveria në Berlin ka propozuar një financim prej 15 miliardë eurosh për të mbështetur reduktimin në përdorimin e gazit për energji dhe industri.
Gjiganti i gazit rus, Gazprom, njoftoi për reduktime të përsëritura këtë javë të dërgesave të saj përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në Gjermani, duke përmendur probleme teknike.
Por ministri Habeck e ka konsideruar këtë veprim si një vendim politik, për shkak të sanksioneve që vendet perëndimore kanë vendosur ndaj Rusisë.