Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka njoftuar se seanca e parë mbi padinë e Ukrainës kundër Rusisë për shkeljen e Konventës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për gjenocid do të mbahet më 7 dhe 8 mars.
Organi gjyqësor i OKB-së në një njoftim shpalli datat e seancës për padinë e Ukrainës kundër Rusisë për shkelje të Konventës së OKB-së të vitit 1948 për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit.
Njoftohet se seanca do të zhvillohet në një format hibrid, duke theksuar se pala ukrainase do të dëgjohet më 7 mars, ndërsa pala ruse më 8 mars.
Gjykata paralajmëroi Rusinë që të përmbahet nga procedurat që do të eliminonin efektin e ndalimeve të mundshme që do të shpallen.
Ukraina paraqiti një kërkesë në ICJ kundër Rusisë më 26 shkurt për shkelje të Konventës së OKB-së për gjenocid.
Ukraina kundërshtoi pretendimet e Rusisë se “ka kryer gjenocid në rajonet Donetsk dhe Luhansk” dhe pretendoi se Rusia, në fakt, po vret ukrainasit me qëllim për gjenocid.
Në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, ku një pjesë e madhe e popullsisë është me origjinë ruse, separatistët kanë shpallur të ashtuquajturat “Republika Popullore” të pavarura dhe Rusia i ka njohur ato administrata.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se qëllimi i tyre ishte “të mbrojnë njerëzit që u ekspozuan ndaj gjenocidit nga Kievi dhe të çmilitarizojnë dhe denazifikojnë Ukrainën”./AA