Në Francë, personi 19-vjeçar, i cili u zbulua se kishte përdorur kartën e vaksinimit të Presidentit Macron që përmbante informacionin për vaksinën kundër koronavirusit, u gjobit me 135 euro, transmeton KosovaPost.
U zbulua se një adoleshent 19-vjeçar në Marsejë të Francës, përdori kartën e vaksinimit të Presidentit Emmanuel Macron që përmbante informacionin e vaksinës kundër koronavirusit.
Në mediat franceze thuhet se personi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u kap nga rojet e sigurisë teksa po përpiqej të hynte në Spitalin e Marsejës më 5 tetor dhe policia u informua pasi u kuptua se ai po përdorte kartën e shëndetit të dikujt tjetër. Më vonë, u përcaktua se karta e shëndetit e përdorur nga personi i përkiste Macron.
Personi, i cili u ndalua për disa orë, u gjobit me 135 euro për “paraqitjen e kartës së shëndetit të një personi tjetër gjatë kontrollit të hyrjes në një vend si pjesë e luftimit të përhapjes së epidemisë” .
Karta shëndetësore speciale Kovid-19, e cila thotë se Presidenti Francez Macron kishte marrë vaksinën Pfizer-BioNTech Kovid-19, u zbulua në mediat sociale nga disa profesionistë të kujdesit shëndetësor.
Karta personale shëndetësore, e cila hyri në fuqi më 9 gusht në Francë, përfshin informacione rreth vaksinimit, rezultateve negative të testit për 48 orët e fundit ose kurimit nga sëmundja në 6 muajt e fundit.
Karta e vaksinës Kovid-19 është bërë e detyrueshme për vizitorët në spitale dhe shtëpi pleqsh dhe pacientët që nuk hyjnë urgjentisht në spital, në restorante, bare, kafene, dasma, seminare, panaire tregtare, si dhe në transportin publik në distanca të gjata , përfshirë trenat, aeroplanët dhe autobusët./KosovaPost/.