Nëpërmjet një komunikate për media, Gjykata Themelore e Prizrenit ka njoftuar se u është caktuar masa e paraburgimit, dy të pandehurve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në vepra penale si: blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar në narkotikëve, transmeton Kosova Post.
Kjo është komunikata e plotë:
Caktohet masa e paraburgimit ndaj dy (2) të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analog
Prizren, 9 gusht 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 07.09.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 07.10.2021, ndaj të pandehurve E.T., (1) dhe E.T., (2), për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 2 – 31 lidhur me nenin 275, par.1, nën par.1.9 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Të pandehurit E.T., (1) dhe E.T., (2), me datë 7 shtator në orët e mbrëmjes, në Pikën kufitare në Vërmicë, i ‘u është gjetur se pa autorizim transportojnë me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes substanca narkotike – sasi të mëdha të dyshuara të llojit kokainë, të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që gjatë kalimit nga Shqipëria për në Kosovë me automjet që drejtohej nga i pandehuri E.T., (1), brenda të cilit ishte edhe i pandehuri i dytë, E.T., (2)., pas ndalimit në Pikën kufitare të Vërmicës dhe kontrollimit të detajuar nga zyrtarët e policisë kufitare dhe doganës, me ç ’rast pas skanimit të automjetit në fjalë, ka rezultuar se ka ndërhyrje bunker nën ulëset e pasme të automjetit, ashtu që gjatë kontrollimit të automjetit janë gjetur 9 (nëntë) paketime të cilat përmbanin substancë narkotike të dyshuar të llojit kokainë, në sasi të tërësishme prej 8 kg e 874 gram (Tetë kilogramë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër gram), të cilat edhe janë sekuestruar përkohësisht nga ana e policisë.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh se procedura është në fazën fillestare të hetimit dhe për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, është i nevojshëm caktimi i paraburgimit sepse ekziston rreziku se me lënien në liri të të pandehurve mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që janë shtetas të Shqipërisë dhe nuk kanë vendbanim në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu, duke pasur parasysh peshën dhe pasojat të cilat i ka kjo vepër penale, mënyrën dhe rrethanat nën të cilat është kryer ky veprim kundërligjor tregon vendosmërinë e të pandehurve për arritjen e qëllimit, andaj për sigurimin e prezencës së pandehurve në procedurë e posaçërisht kur hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare, caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm./KosovaPost/