Goditje e madhe OPEC-ut; Katari tërhiqet nga organizata më e madhe në botë e naftës!

Goditje e madhe OPEC-ut; Katari tërhiqet nga organizata më e madhe në botë e naftës!

Katari definitivisht do të tërhiqet nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës – OPEC, që është organizatë e 15 vendeve që prodhojnë dhe eksportojnë naftë. Këto 15 vende përbëjnë gati gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të naftës në botë, shkruan KosovaPost.

Njoftimi mbi tërheqjen e Katarit nga OPEC vjen nga Ministri i Petrolit dhe Energjisë i Katarit, Saad Sharida el-Kaabi. Të njëjtin lajm e ka konfirmuar edhe Qatar Petroleum, një kompani shtetërore e naftës.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Doha, Al-Qaabi tha se “tërheqja jonë duhet kuptuar si dëshirë e Katarit për t’u përqendruar më shumë në planet për të zhvilluar dhe zgjeruar prodhimin e gazit natyror prej 77 milion ton në vit në 110 milion ton në vitet e ardhshme”.

Me këtë hap të padëshiruar për OPEC, Katari është shteti i parë nga Gjiri Persik që po lë bllokun e vendeve eksportuese të naftës.

Ka indikacione se e gjithë kjo erdhi si reaksion dhe hakmarrje e Katarit  ndaj katër vende arabe, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Egjipti, të cilat dy vite më parë i kishin vënë embargo.

Katari iu bashkua OPEC-ut në vitin 1961, një vit pas themelimit të kësaj organizate, raporton KosovaPost.