Çdo grua që synon kandidimin për kryetare të komunës, fillimisht nëse ka mbështetje nga partia, duhet të ketë parasysh se shpenzimet për fushatën elektorale janë të mëdha, e në disa raste paraqesin pengesë për të kryer takime të afërta me publikun.
Për zgjedhjet lokale në Kosovë, që do mbahen më 17 tetor, nga 167 kandidatë për kryetarë të komunave, partitë politike kanë kandiduar vetëm 13 gra, dhjetë nga subjektet politike shqiptare dhe tre nga subjektet politike serbe. Zgjedhjet lokale mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Këto gra vijnë nga parti dhe rajone të ndryshme, por sigurimi i fondeve të nevojshme për të zhvilluar fushatë aktive, është problem i përbashkët.
Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), të martën (6 shtator) ka publikuar një raport të quajtur “Kosto e Pabarazisë: Financimi i Fushatës Zgjedhore së Grave Kandidate”. Në këtë raport thuhet se gratë përballen me mungesë të financimit adekuat të fushatave të tyre zgjedhore, andaj edhe është propozuar ndryshimi i Ligjit për financimin e subjekteve politike në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me gra kandidate për kryetare të komunave të partive të ndryshme politike. Ato kanë thënë se në shumë raste, duhet t’i financojnë vetë kostot e transportit, hapësirat për tubime dhe shërbimet ushqimore, duke mos anashkaluar edhe financimin në raste të caktuara edhe nga partitë politike.
Megjithatë, kandidatet gra tashmë kanë filluar aktivitetet e tyre edhe pse zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale fillon më 16 shtator dhe zgjat deri më 15 tetor.
Kusari-Lila: Shpenzimet janë të paevitueshme
Mimoza Kusari-Lila, kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e paevitueshme edhe financimi privat për fushatë, nuk është i lirë.
Kusari-Lila në vitin 2013 kishte fituar garën për të udhëhequr Komunën e Gjakovës, njëherësh është e vetmja grua që ka udhëhequr një komunë në Kosovë që nga viti 1999.
“Në kuadër të subjektit në të cilin kam garuar në zgjedhjet lokale, jam munduar të kem një operacionalizim të shpenzimeve në kuptimin e nivelit të shtabit dhe pastaj ta mbaj sa më të hapur dhe transparente formën dhe mënyrën e shpenzimeve që kemi pasur. Por, është e paevitueshme që edhe kandidateve t’iu bie të vetëfinancojnë fushatën, ato lidhen me shpenzime të ndryshme të takimeve, të cilat edhe pse janë në nivel të vogël prapë kërkojnë shpenzime, sepse organizimi mund të ketë edhe pije dhe që financohet nga vetë kandidati”, thekson Kusari- Lila.
Ajo megjithatë shprehet se fushata elektorale, viteve të fundit kushton më lirë, për shkak se promovimi mund të zhvillohet përmes platformave online.
Kuqi: Familja dhe miqtë, donatorët kryesorë të fushatës
Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që në Komunën e Gjakovës të garojë me kandidaten Arbënesha Kuqi. Edhe kjo tregon për Radion Evropa e Lirë se sigurimi i parave është proces i vështirë për të zhvilluar fushatë efikase. Paratë e kursyera nga puna e saj, nga bashkëshorti, familja dhe shoqëria, janë mjete të cilat pretendon t’i shfrytëzojë për fushatë edhe Arbënesha Kuqi.
”Unë kam njerëz afër vetes që më ndihmojnë financimin, kurse pjesën tjetër e bënë njerëz të vullnetit të mirë të partisë, qytetit dhe shoqërisë. Sa është totali për fushatë, nuk kam bërë ndonjë llogari, por ka kosto edhe me buxhet familjar besoj nuk mund t’ia dalë dikush, nëse paguhet nga buxheti i Kosovës pa pasur ndonjë biznes privat”, thekson ajo.