Në një poligon qitjeje në qytetin jug-lindor të Zaporizhzhias në Ukrainë, gjashtë gra po mësojnë se si të përdorin automatikët Kalashnikov si pjesë e një programi trajnimi për luftime urbane.
Duke u fshehur pas mureve të lëvizshme, një prej tyre merr shenjë ndaj një objektivi në distancë , përpara se të zhvendoset në një pozicion tjetër. Shumica prej tyre janë të reja dhe të veshura me rroba ushtarake.
Ky është sezoni i tyre i tretë në “Shqisën e gjashtë”, një qendër stërvitjeje për sigurinë në qytet, ku një ekip ekspertësh ka ngritur një praktikë për t’i mësuar grave përdorimin e armëve dhe taktikat e luftimeve urbane.
Me luftimet që po i afrohen gjithnjë e më shumë qytetit, 47 vjeçarja Natalia Basova nuk e mendoi dy herë për të regjistruar. Sipas saj vija e frontit të luftës është shumë afër.
“Unë dija si të përdorja armët edhe përpara luftës. Vizitoja shpesh poligonët e qitjes, isha shumë e interesuar,” deklaroi Basova, e cila merr pjesë në kurs së bashku me vajzën e saj 29-vjeçare Ulyana Kiyashko.
“Por tani të gjithë duhet të mësojnë për to,” thotë ajo, duke u zmbrapsur nga oshtima e fortë e një arme pas saj.
Bashkëshorti dhe djali i Basovës tani janë në vijën e parë të frontit, si dhe dhëndri i saj. Ndërsa burrat e tyre po luftojnë, ajo dhe vajza e saj po përpiqen të mësojnë sa më shumë që të munden rreth luftimeve urbane.
“Instruktori jonë na mëson se si të marrim shenjë dhe si të përdorim një armë në mënyrë të duhur”, deklaroi ajo për AFP-në.