Ish-i Dërguari Special i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë është humbje e taksave të amerikanëve dhe se i njëjti duhet të reformohet thellësisht ose të përmbyllet.
“Krerët e UNMIK-ut në Kosovë fajësojnë komunikimin e dobët, BE-në, Ursula von der Leyen dhe NATO-n për dhunën e ditëve të fundit. Në ndërkohë është UNMIK-u që është joefektiv dhe i ngadalshëm. UNMIK-u është humbje e taksave të paguara nga amerikanët dhe duhet të reformohet në mënyrë drastike ose të përmbyllet”, ka shkruar ai në Twitter.
Grenell i është referuar fjalimit të shefit të UNMIK-ut Zahir Tanin dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB i cili tha se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe KFOR-in, nuk është informuar paraprakisht për reciprocitetin e targave me Serbinë nga Kosova.
Në ndërkohë ishte përfaqësuesi i SHBA-së i cili në këtë mbledhje ripërsëriti qëndrimin e tyre se misioni i UNMIK-ut në Kosovë duhet të përmbyllet, duke shtuar se tensionet në veri e dëshmuan se ky mision nuk duhet të jetë më i pranishëm në Kosovë.