Grupi i Miqësisë Kosovë- Turqi i Kuvendit të Kosovës, ka dënuar ashpër përdhosjen e flamurit të shtetit tonë mik, Turqisë, në rrugët e Prizrenit, njofton Kosova Post.
“Flamuri, që është simbol i secilit shtet, është i shenjtë për çdo komb dhe shoqëri. Ne dënojmë ashpër sulmin ndaj flamurit turk në rrugët e Prizrenit, i cili është zbukuruar me flamuj të vendeve mike me rastin e 17 Shkurtit, festës së Pavarësisë së Republikës sonë. Ky sulm i kryer nga një grup në qytetin e Prizrenit, duke i hedhur pastaj flamujt edhe në lumë, padyshim është një akt i rëndë. Ky veprim nuk është vetëm një sulm ndaj një flamuri, por tendencë që synon prishjen e miqësisë dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërkomunitare në Kosovë.
Në anën tjetër, ne shprehim konsideratë të lartë për Policinë e Kosovës, e cila ka marrë masa të menjëhershme ndaj atyre që kanë kryer këtë veprim. Këto akte, pavarësisht shëmtisë së tyre, nuk do të arrijnë në asnjë mënyrë të cenojnë bashkjetesën tonë mes komunitetesh, por as miqësinë ndërmjet dy vendeve, siç janë Kosova dhe Turqia. Si Grup i Miqësisë Kosovë-Turqi kërkojmë që të nisin procedurat e nevojshme ligjore në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten”,
Kryeyari Grupit Miqesise Kosove Turqi
Deputeti, Enis Kervan Prishtine