Presidenti rus, Vladimir Putin, autorizoi një operacion sekret të spiunimit për ta përkrahur Donald Trumpin në zgjedhjet e vitit 2016 në ShBA gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të Këshillit për Siguri Kombëtare të Rusisë, sipas atyre që po cilësohen si dokumente që kanë rrjedhur nga Kremlini, raporton e përditshmja britanike, The Guardian.
Takimi në fjalë ishte mbajtur më 22 janar të vitit 2016, bëhet e ditur në këto letra. Aty morën pjesë presidenti rus, shefat e spiunimit dhe ministrat.
Ata ishin pajtuar që Shtëpia e Bardhë me Trumpin do të ishte ndihmë për t’i siguruar objektivat strategjike të Moskës, mes tyre “trazirat sociale” në Shtetet e Bashkuara dhe një dobësim të pozicionit negociues të presidentit amerikan.
Tri agjencitë ruse të spiunazhit ishin urdhëruar që të gjejnë mënyra praktike për ta përkrahur Trumpin, thuhet në një dekret që duket se e ka nënshkrimin e Putinit.
Në atë pikë, Trumpi tashmë ishte favorit kryesor në garën për nominim për kandidat brenda Partisë Republikane. Një raport i përgatitur nga departamenti i ekspertëve të Putinit rekomandoi që Moska ta përdorte “tërë forcën e mundshme” për ta siguruar fitoren e Trumpit.
Merret vesh se agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë qenë të vetëdijshme për këto dokumente për disa muaj dhe t’i kenë hulumtuar me kujdes ato. Letrat, të cilat janë parë nga gazeta “The Guardian”, duket se përfaqësojnë një rrjedhje serioze dhe të pazakontë të dokumenteve nga qarqet e brendshme të Kremlinit.
Ekstrakt i dokumentit sekret në gjuhën ruse, që besohet se ka rrjedhur nga Kremlini. Aty jepen udhëzime se si të ndihmohet Trumpi për t’u bërë president (Pamjet: The Guardian)
E përditshmja britanike ua ka treguar këto dokumente ekspertëve të pavarur, të cilët kanë thënë se ato duket se janë origjinale. Hollësitë e rastësishme dalin të jenë të sakta.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i kontaktuar të enjten në mëngjes nga gazeta “The Guardian”, e mohoi këtë, duke thënë se ideja që liderët rusë janë takuar dhe janë pajtuar për ta përkrahur Trumpin në takimin e vitit 2016 janë trillim i madh e i dobët.
Raporti, i emërtuar “NO 32-04 / vd”, është i klasifikuar si sekret. Aty thuhet se Trumpi është kandidati më premtues nga pikëpamja e Kremlinit. Fjala në rusisht është “perspektivny”.
Në raport ndodhet edhe një vlerësim psikologjik të Trumpit, i cili përshkruhet si “impulsiv, mendërisht i paqëndrueshëm dhe individ i pabaraspeshuar, i cili vuan nga kompleksi i inferioritetit”.
“Pjesa speciale” e dokumentit sekret, ku përmenden masat për të shkaktuar trazira dhe përçarje në ShBA (Pamjet: The Guardian)
Aty gjithashtu ka konfirmim se Kremlini kishte materiale kompromisi për presidentin e ardhshëm, të mbledhura nga vizitat e mëparshme jozyrtare të Trumpit në territorin e Federatës Ruse , transmeton Gazeta Express. Dokumenti iu referohet “ngjarjeve të caktuara” që kanë ndodhur gjatë vizitave të Trumpit në Moskë. Anëtarët e Këshillit të Sigurisë ftohen që t’i gjejnë hollësitë në shtojcën numër 5, në paragrafin e pestë. Nuk dihet se çfarë përmban kjo shtojcë.
“Është e nevojshme në mënyrë të saktë që të përdoret e tërë forca e mundshme që të lehtësohet zgjedhja e tij (Trumpit) në postin e presidentit të ShBA-së”, thuhet në letrën në gjuhën ruse.
Dokumenti parashikon që fitorja e Trumpit “përfundimisht do të çonte në destabilizimin e sistemit socio-politik të ShBA-së”.
Në dokument këshillohet futja e “viruseve mediale” në jetën publike amerikane, veprim që do ta ndryshonte vetëdijen e masës, sidomos në grupe të caktuara.
Ndryshe, nuk ka dyshime që takimi i janarit të vitit 2016 kishte ndodhur dhe që ishte mbajtur në Kremlin. Në një fotografi zyrtare të takimit shihet presidenti Putin në krye të tavolinës. I pranishëm ishte edhe kryeministri i atëhershëm rus, Dmitry Medvedev, bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.
Takimi i Putinit me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë, 22 janar 2016 (Foto: TASS)
Në fotografi shihen edhe Sergei Shoigu, ministër i Mbrojtjes, që e kontrollon edhe GRU-në – agjencinë ruse të inteligjencës ushtarake; Mikhail Fradkov, atëherë shef i Shërbimit për Inteligjencë të Jashtme – SVR; dhe Aleksander Bortnikov, drejtor i agjencisë së spiunimit, FSB.