“Donatorëve u bëj thirrje që të përshpejtojnë ndihmat e tyre që do të shpëtojnë jetë dhe i ftoj të ndihmojnë për të formuar rezistencë për t’u përballur me këto vështirësi të mëdha”, tha Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB).
New York/ Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, tha se populli i Sirisë po përjeton periudhën më të keqe që nga fillimi i luftës së brendshme dhe vuri theksin mbi rëndësinë për zgjatjen e operacioneve ndërkufitare që “do të shpëtojnë jetë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Guterres, mori pjesë online në takimin që Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi për situatën në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se nevojat themelore për jetesën e civilëve në Siri janë bërë të papërballueshme dhe tha se “për të lehtësuar situatën e keqe në vend” operacionet e ndihmës ndërkufitare që do të përfundojnë më 10 korrik duhet të zgjaten edhe për një vit.
Në lidhjen e tij nga Brukseli në takimin e zhvilluar në New York, Guterres u shpreh se “Donatorëve u bëj thirrje që të përshpejtojnë ndihmat e tyre që do të shpëtojnë jetë dhe i ftoj të ndihmojnë për të formuar rezistencë për t’u përballur me këto vështirësi të mëdha”. Ai shtoi më tej se duhet të mblidhen në mënyrë urgjente 4,2 miliardë dollarë që janë të nevojshme.
Duke përmendur se në Sirinë e shkatërruar nga lufta e brendshme nuk ka siguri ushqimore për 12,4 milionë njerëz, ai bëri të ditur se kriza ekonomike dhe situata e thatësirës në rajon janë përkeqësuar edhe më shumë.
Guterres gjithashtu tërhoqi vëmendjen për sulmin e kryer në fillim të këtij muaji ndaj spitalit “Shifa” në vend, ku sistemi shëndetësor është mjaft i brishtë për shkak të pandemisë COVID-19.
– “Mos zgjatja e kompetencës së dhënë nga Këshilli do të ketë pasoja shkatërruese”
Më shumë se 70 për qind e popullsisë së Sirisë ka nevojë urgjente për ndihmë, tha Guterres, i cili vuri theksin se është shumë e rëndësishme të vazhdohet qasja e operacioneve ndërkufitare për dërgimin e më shumë ndihmave humanitare. Guterres deklaroi se “Mos zgjatja e kompetencës së dhënë nga Këshilli do të ketë pasoja shkatërruese”.
“Me Turqinë dhe grupet që kontrollojnë rajonin jemi në kontakt dhe kam shpresa të mëdha se së shpejti do të jetë i mundur fillimi i operacioneve ndërkufitare”, tha Guterres i cili anëtarëve të Këshillit u bëri thirrjen që të arrijnë konsensus që operacionet ndërkufitare të lejohen edhe për një vit si një mbështetje jetësore.
“Nuk duhet të harrojmë që zgjidhja e tragjedisë së Sirisë mund të arrihet vetëm me rrugë politike. Sirianët duhet të bashkohen për të arritur dakordim mbi të ardhmen e tyre. Ka ardhur koha t’i jepet fund makthit dhjetë vjeçar”, theksoi Guterres.