Sulmuesi norvegjez u bë futbollisti i parë në historinë e Premierligës me ‘hat-trick’ në 3 ndeshje të njëpasnjëshme të luajtura në shtëpi
Sulmuesi norvegjez i Manchester City-t, Erling Haaland, i cili me performancën e tij këtë vit arriti të thyejë rekorde që tani në Premierligën Angleze, u bë futbollisti i parë në historinë e ligës me nga 3 gola (hat-trick) në 3 ndeshje të njëpasnjëshme të luajtura në shtëpi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshja e 187-të mes Manchester City-t dhe Manchester United-it, që u zhvillua dje në javën e 8-të të Premierligës dhe përfundoi me fitoren e City-t me rezultatin 6-3, ishte derbi i Manchester-it me më shumë gola gola të shënuara ndonjëherë.
22-vjeçari Haaland, pas ndeshjeve me Crystal Palace-in dhe Nottingham Forest-in, edhe në ndeshjen kundër Manchester United shënoi hat-trick.
Haaland vetëm në tetë ndeshje arriti të thyejë rekordin e 3 hat-trick-ëve më të shpejtë në Premierligë, i cili më përpara i takonte Michael Owen-it, i cili arriti këtë në 48 ndeshje. Owen, i cili ishte pjesë e skuadrës së Liverpool-it në vitet 1997-2004, në 48 ndeshje kishte arritur të shënojë 3 herë hat-trick.
Sulmuesi norvegjez kryeson edhe tabelën e më shumë golave të shënuar pasi arriti të shënojë 14 gola në tetë ndeshje. Pas tij renditet ylli anglez i Tottenham-it Harry Kane, i cili arriti të shënojë vetëm sa gjysma e golave të Haaland-it (7).
Para ndeshjes me Manchester United-in, Haaland me 11 gola në shtatë ndeshje kishte thyer edhe rekordin e ish-futbollistit Mick Quinn, si startuesi më i mirë. Haaland ishte zgjedhur futbollisti i muajit në gusht, pasi ishte i vetmi futbollist me 8 gola në pesë ndeshjet e para.
Haaland zotëron edhe rekordin e lojtarit të vetëm që ka shënuar gol në katër ndeshje të njëpasnjëshme jashtë në Premierligë. Ai ka shfaqur performancë të rëndësishme edhe në Ligën e Kampionëve të UEFA-s me klubin e tij.
Theu shumë rekorde në Ligën e Kampionëve
Haaland me fanellën e Manchester City-t në Ligën e Kampionëve ka shënuar 3 gola në dy ndeshje.
Ai shënoi dy gola kundër Sevilla-s si dhe një kundër ish-klubit të tij Borussia Dortmund në Ligën e Kampionëve. Haaland është futbollisti i vetëm që ka shënuar më shumë se një gol në një ndeshje me tre klube të ndryshme në Ligën e Kampionëve.
Haaland gjithashtu ka tejkaluar ish-futbollistët Ruud van Nistelrooy, i cili në 20 ndeshjet e para të tij në Ligën e Kampionëve kishte shënuar 25 gola, dhe Roberto Soldado 16 gola. Ai e ka tejkaluar edhe Kylian Mbappe-n si futbollisti më i ri i cili ka arritur shifrën prej 25 golash.
Në “Ligën e Gjigantëve Evropian” Haaland gjatë karrierës së tij në 21 ndeshje ka shënuar 26 gola. Nëse ai shënon edhe një gol në nëntë ndeshjet e ardhshme, do të jetë poseduesi edhe i rekordit të Van Nistelrooy-it në 30 ndeshje me më shumë gola.
Haaland e mban edhe rekordin me 10 dhe 15 gola në më pak ndeshje, kurse tërheq vëmendjen si lojtari i vetëm i Manchester City-t i cili ka shënuar gol në ndeshjen e parë në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi norvegjez shifrën prej 100 golash e ka arritur në fund të ndeshjes së 146-të, edhe në këtë sferë e mban rekordin. Këtë performancë Neymar e ka arritur në 173 ndeshje, Mbappe në 180, ndërsa Messi në 210 ndeshje.
Me fanellën e kombëtares së Norvegjisë, ai ka shënuar 21 gola në 23 ndeshje. Ai me 9 gola kundër Hondurasit në vitin 2019 me ekipin kombëtar U-20, gjithashtu mban rekordin e lojtarit të vetëm që e ka arritur këtë në një ndeshje të vetme.