Ish-Ministri i FSK-së nga radhët e LDK-së, Haki Demolli, ka njoftuar se nuk është i interesuar që të jetë pjesë e listës zgjedhore, megjithatë ai thotë se LDK duhet të garojë e vetme, shkruan Kosova Post.
Ai përmes një teksti të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, ka shfaqur disa arsye se pse LDK në zgjedhjet e përgjithshme duhet të shkojë e vetme, pa bërë koalicion me parti të tjera.
Sipas tij një prej arsyeve se pse LDK duhet të garojë e vetme, është për të parë se sa kanë ndikuar zhvillimet e kohëve të fundit.
Sipas Demollit, koalicionet parazgjedhore janë të dëmshme për këtë subjekt.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,
LDK TË GAROJË E VETME NË ZGJEDHJET E SHKURTIT 2021!
Vetëm pak ditë para dorëzimit të listave zgjedhore, në të cilat zgjedhje unë nuk jam i gatshëm dhe i interesuar që të marr pjesë si kandidat për deputet, disa subjekte të vogëla politike janë të interesuara që të bëjnë koalicion me LDK-në, respektivisht që në listën zgjedhore të LDK-së, të fusin numër të caktuar të kandidatëve të tyre.
Pavarësisht kërkesave, dëshirave, interesave dhe ‘lutjeve’ të subjekteve të ofruara për koalicion, mendoj se në zgjedhjet e shkurtit 2021, LDK duhet të garojë si subjekt i vetëm politik, ndër të tjera edhe për këto arsye:
– Votuesi i LDK-së është tejet liberal, që do të thotë se nuk është i kontrolluar dhe ‘dirigjuar’ në mënyrë strikte ( siç i ‘dirigjojnë’ disa parti të tjera), andaj kur në listë të LDK-së do të ketë kandidatë të partive të tjera, ata do të “shpërblehen pa meritë” nga një numër i madh i votuesve të LDK-së. Fatkeqësisht, ne si LDK këtë përvojë jo të mirë e kemi përjetuar në zgjedhjet e vitit 2017, kur nga votuesit e LDK-së, me të madhe janë votuar kandidatët e Alternativës dhe të AKR-së, siç ishte rasti me Mimoza Kusarin, Behxhet Pacollin, Ilir Dedajn, Korab Sejdiun e madje edhe me Labinot Tahirin, që fituan me nga 10-15 mijë vota, e që përndryshe sikurse mos të ishin në listën e LDK-së, vështirë se do të merrnin numër kaq të madh të votave;
– Nëse futen 10-15 kandidatë të partive të tjera në listën e LDK-së, atëherë jashtë kësaj liste do të mbesin 10-15 anëtarë të devotshëm të LDK-së, e një gjë e tillë nuk është e ‘shëndetshme’ për LDK-në, sidomos në kohën e zhvillimeve jo të kënaqshme, kur ish deputetë, asamblistë komunal, aktivistë të degëve dhe nëndegëve të saj po pozicionohen në anën e të ‘pakënaqurve’ të LDK-së. Pra nuk është e drejtë që të futën kandidatët e partive të tjera, të cilët nuk shquhen me ndonjë cilësi politiko-profesionale, që do t’i bënte më të suksesshëm se sa kandidatët e devotshëm të propozuar nga degët e LDK-së. Madje nëse supozohet se secili kandidatë (që do të mbetet jashtë listës së LDK-së) së bashku me familjet, miqtë e tyre do t’i sillte nga 800-1200 vota, kjo nënkupton se në tërësi do të ishin afro 10.000, numër ky që tërë AKR-ja nuk e ka. Pra ndaj anëtarit të devotshëm të LDK-së, udhëheqësia e saj mirë është të veprojë sipas fjalës së urtë popullore ‘të huajin respektoje, ndërsa tëndin duaje dhe nderoje.’
– Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, kur ishim në koalicion me AKR-në dhe Alternativën, barrën kryesore të organizimit të tubimeve elektorale e kanë bartur strukturat e LDK-së në tërë Kosovën, ndërsa kandidatët e partive të koalicionit (AKR-së, Alternativës) në tubime vinin “me duar në xhepa”, ishin të privilegjuar sikurse në rezervimin e ulëseve në radhët e para ashtu edhe në fjalimet e tyre para elektoratit, që 99% ishte i LDK-së. Madje gjatë fjalimeve të tyre ‘përbetoheshin’ në kokën e presidentit Rugova duke u bërë më rugovistë, se sa ne kandidatët e LDK-së, kështu me fjalime të tyre populliste, orvateshin të manipulonin dhe sjellin në lajthitje simpatizuesit e LDK-së. E madje në disa tubime elektorale ( si në Kaqanik, Ferizaj etj.) kishte edhe kandidatë të tillë të tyre, që ja ‘thonin’ ndonjë kënge tallava, sepse partitë e tilla edhe përbëhen prej ‘tallava kandidatëve’;
– Jo vetëm kaq, por pas përfundimit të votimeve, derisa vazhdonte procesi i rinumërimit dhe certifikimit të votave, përfaqësuesi i AKR-së doli me deklaratën, se AKR është dashur të ketë më shumë se katër deputetë në Kuvend, por LDK-ja ia kishte vjedhur votat kandidatëve të tyre. Kjo tregon se ata nuk i besojnë LDK-së, andaj si mund të krijohet koalicioni respektivisht të dilet me listë të përbashkët zgjedhore, me ata që nuk na besojnë, ndërsa në zgjedhjet e fundit sllogani ynë ishte ‘beso’.
– Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, kur filluan negociatat ndërmjet partive parlamentare për krijimin e qeverisë, në vend që LDK-ja të ishte faktor i rëndësishëm në këto negociata, përnjëherë AKR-ja, i tërhoqi deputetët e saj nga Grupi parlamentar i LDK-së dhe filluan të shantazhojnë respektivisht të dërgojnë ultimatume në adresë të LDK-së. Ultimatume të natyrës “nëse nuk deklaroheni edhe gjatë kësaj jave, ne hyjmë në koalicion me PAN-in”, dhe vërtetë kështu edhe ndodhi, AKR-ja e cila kishte hy në Kuvend me votën e elektoratit të LDK-së, hyri në koalicion me PAN-in, duke bërë një “pazarllëk’ të shkëlqyeshëm politik dhe atë, me vetëm dy (më vonë një) deputetë ‘fitoi’ për vete gjashtë poste ministrore ( një zëvendëskryeministër dhe pesë ministri). Në këtë mënyrë AKR-ja, në njërën anë përjashtojë mundësinë e krijimit të koalicionit qeveritar LDK-VV (që pas atyre zgjedhjeve ishte koalicioni i dëshiruar nga shumica e qytetarëve të Kosovës) dhe në anën tjetër e defaktorizojë politikisht LDK-në, pra thjesht e “shtriu për toke”;
– Po ashtu duhet theksuar, se në po të njëjtin vit (2017) në zgjedhjet komunale për Prishtinën, anëtarët, struktura dhe simpatizantët e AKR-së u radhitën në krahun e Shpend Ahmetit të VV-së, duke ndihmuar që ai të fitojë garën zgjedhore kundër Arban Abrashit që ishte kandidat i LDK-së. Me e keqja e tërë kësaj ishte se Arbani në këto zgjedhje humbi garën për vetëm 300-400 vota, që do të thotë se sikurse mos ta ndihmonte AKR-ja Shpendin, ai kurrsesi nuk do të mund ta mposhte Arbanin;
– Një argument tjetër kundër koalicionit LDK-AKR, është fakti se kur shikohen dhe krahasohen rezultatet e LDK-së në të gjitha zgjedhjet nacionale, atëherë shihet se numrin më të vogël të deputetëve në Kuvend dhe atë vetëm 22 deputetë, e ka pasur, pikërisht në legjislaturën e gjashtë ( të vitit 2017), pas zgjedhjeve në të cilat ishte në koalicion me AKR-në;
– Andaj pasur parasysh faktet e lartë theksuara, si dhe rrjedhat e kohëve të fundit brenda LDK-së, jam i mendimit që LDK-ja në zgjedhjet e shkurtit 2021 duhet të garojë e vetme, pra duhet të dalë si e vetme që të matet në ‘peshoren zgjedhore’, për të parë se sa kanë ndikuar zhvillimet politike ( dy qeveritë dhe ndasitë brenda LDK-së), ndërmjet dy palë zgjedhjeve. Kuptohet nëse shënon rezultat më të mirë se sa në zgjedhjet e fundit, gjë që LDK-së i dëshiroj nga zemra, atëherë të shpërblehen dhe dekorohen kreatorët e këtyre zhvillimeve, e nëse nuk arrihet rezultati i kënaqshëm atëherë mos të shfrytëzohet koalicioni parazgjedhor (me AKR-në) si alibi për mbulimin e mossuksesit, por të vjen në shprehje përgjegjësia politike.