Halil Ibrahimi: Sistemet politike në kohërat moderne nuk i mban më dhuna e drejtpërdrejtë fizike

Halil Ibrahimi: Sistemet politike në kohërat moderne nuk i mban më dhuna e drejtpërdrejtë fizike

Halil Ibrahimi është lindur në vitin 1976 në Prishtinë. Ka mbaruar studimet themelore për biologji në Universitetin e Prishtinës, ka magjistar për ekologji në Universitetin e Sarajevës dhe ka doktoruar në fushën e zoologjisë në Universitetin e Zagrebit. Që nga viti 2002 punon si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës. Ka të publikuara mbi 40 punime shkencore në revista ndërkombëtare, përfshirë publikimet për katër lloje të reja të insekteve për shkencën. Po ashtu ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca e simpoziume shkencore ndërkombëtare. Merret me hulumtimin e insekteve dhe ekosistemet e ujërave të ëmbla.

Ibrahimi nuk njihet vetëm për punën e tij shkencore, por edhe për qëndrimet e tij të shfaqura publikisht për dukuritë me të cilat përballet shoqëria. Ai është një ndër zërat e rrallë kritik.

Në intervistën në vijim, ai ka folur ndër të tjera edhe për vështirësitë me të cilat përballet një punonjës shkencor, për brishtësinë e cila e karakterizon sistemin arsimor dhe për shumë çështje të tjera.

Kosova Post: Duke bredhur nëpër internet, rastësisht hasa në një intervistë tënden dhënë për Young European Biologists. Në njërën prej përgjigjeve tuaja, ndër të tjera ju shpreheshit se në Kosovë është vështirë të bëni punë shkencore. Vërtetë a vazhdon të jetë e vështirë?

Ibrahimi: Fatkeqësisht të bërit shkencë vazhdon të jetë sfiduese në Kosovë. Përveç infrastrukturës së dobët për hulumtime nëpër universitetet tona, problemi kryesor mbetet vëmendja e ulët që i kushtohet veprimtarisë shkencore dhe avancimit të saj, veçanërisht mungesa e të kuptuarit të dobisë së krejt kësaj, ndaj qytetarit. Ka pasur një tentim viteve të fundit për të ‘promovuar’ shkencën nëpërmjet një fondi të posaçëm në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por procedurat s’janë vetëm burokratike, por edhe të mundimshme. Kjo të dekurajon që në start.

Vet kam pasur një përvojë të hidhur me një nga projektet e fituara në kuadër të këtij fondi. Në vitin 2014 pata fituar një projekt nga ky fond për hulumtimin e llojeve të rralla të insekteve në Kosovë, në vlerë prej rreth 8000 euro. Në vitin 2017, kur projekti veçse kishte mbaruar, meqë ishin zbuluar dy lloje të reja dhe ishin publikuar në shtatë punime në revista ndërkombëtare të indeksuara, dikujt në ministri i kujtohet që të me tregojë se në vitin 2014 në një mbledhje të mbyllur dikush paskësh vendosur që të mos aprovohen 1900 eurot e shpenzuara, të dedikuara për t’i vizituar mbi tridhjetë lokalitete gjithandej Kosovës, çdo muaj, përgjatë një viti të tërë, në mënyrë që të mblidhen mostrat për të kryer hulumtimin. Kjo i bie si të aprovosh shtypjen e një libri dhe të mos aprovosh përdorimin e letrës. Absurdi qëndron në faktin se shuma e tillë është derdhur në llogarinë time bankare kurse njoftimi më komunikohet me tri vite vonesë, kur të njëjtat veçse janë shpenzuar. Për t’u përmbyllur projekti jam detyruar që nga gjepi im t’i kthej mbrapsht shumën prej 1900 eurove, në mënyrë që të hiqet penalizmi që më është vënë mua dhe të gjithë kolegëve pjesëmarrës në këtë projekt, sepse nuk kemi pasur të drejtë për të aplikuar në asnjë projekt tjetër pa u përmbyllur ky. Kështu që në fund doli që, hiq shumën e blerjes së pajisjeve, projektin e financova unë personalisht! Për krahasim më duhet të përmend që një projekt i ngjashëm me atë timin që u zhvillua pothuajse në të njëjtën periudhë në Evropë, financuar nga Qeveria e Austrisë, kushtoi mbi një milion euro, kurse rezultatet ishin pothuajse të të njëjtës sasi me ato të mijat.

Fatkeqësisht në Kosovë më shumë harxhohet për shpenzimet e luleve dhe çadrave të Presidencës, apo rregullimin e imazhit të zyrtarëve të shtetit, se sa për shkencën e arsimin. Kjo është mjaftueshëm domethënëse për të ditur drejtimin e këtij shteti!

Kosova Post: Duket që shoqëria është duke i vuajtur pasojat e degradimit të sistemit arsimor. Dekadat e fundit të viteve 90-ta (kur shqiptarëve të Kosovës iu mohuan të drejtat bazike…), si dhe vitet e pasluftës, i kanë shkaktuar dëme të mëdha këtij sistemi. A mund të rigjenerohet ky sistem?

Ibrahimi: Degradimi që iu bë arsimit dhunshëm gjatë viteve të nëntëdhjeta, u shumëfishua në periudhën e pasluftës. ‘Rehatimi’ nëpërmjet punësimit të politikanëve dhe militantëve nëpër shkolla e universitete, investimet e dobëta, universitetet ‘kërpudha’ si dhe keqpërdorimet e tjera, vazhdojnë edhe më tutje ta përcjellin sistemin arsimor në Kosovë. Ky sistem ka gjasa të rigjenerohet vetëm me mbylljen e gjysmës së universiteteve, punësimin në arsim sipas meritës, ndërlidhjen e sistemin arsimor me praktikën dhe nevojat e shoqërisë dhe mbi të gjitha me përforcimin e nivelit fillor të mësimit. Kurrikula shkollore e të gjitha niveleve momentalisht është tmerrësisht larg të qenit e kohës së sotme. Është e stërmbushur me mite në histori, me letërsi të konsumuar, me shkencë të stërvjetruar dhe ekonomi të tejkaluar.

Kosova Post: Edhe në bisedat e zakonshme, fajet për këtë degradim, përherë u ngarkohen udhëheqësve, politikanëve të vendit. Pse nuk ka reaksion të fuqishëm shoqërorë aq sa të ndikojë në rrëzimin e tyre nga pushteti dhe vendosjen e një klase më të ndërgjegjshme?

Ibrahimi: Bashkë me udhëheqësit e politikanët, fajet i kemi të gjithë ne ngapak. Shoqëria kosovare me shekuj të tërë është ‘stërvitur’ që të mos i rezistojë pushtetit dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sikur jemi mësuar që shtetin ta shohim si diçka të huaj, si diçka që na sundon e jo si një mjet në shërbimin tonë. Klasa politike e ka gjetur mënyrën më të mirë që ta mbajë gjallë këtë klishe të rrezikshme duke e promovuar shtetin si një organizatë në shërbim të një grupi të vogël përfituesish, dhe pastaj duke e cytur secilin për t’u bërë kandidat për përfitues. Nëpërmjet frenimit të prosperitetit ekonomik të shoqërisë dhe pasurimit të skajshëm të këtij grupi të vogël intersxhinjësh, politika ka arritur që t’i mbajë njerëzit nën kontroll edhe në këtë periudhë të pasluftës kur e kemi kinse një shtet tonin. Njerëzit ose janë të frikësuar në palcë se mund ta humbin edhe atë kafshatë të vogël buke në qoftë se reagojnë ose janë duke shpresuar në përjetësi se do të bëhen zëvendësministra, profesorë, zyrtarë për fotokopje, do të fitojnë padrejtësisht një pjesë në privatizim, do të fitojnë një vend pune.

Kështu që edhe vetë ne, qytetarët, i kemi fajet, që shtetin vazhdojmë ta perceptojmë si një mundësi për përfitim personal dhe jo si një organizim në shërbim të të gjithëve. Pa ndërrimin e këtij mentaliteti nuk ka si të vijë një klasë më e ndërgjegjshme politike. Politikanët nuk na vijnë prej qiellit, por po i rrisim ne vetë. Një grup interesxhinjësh në miniaturë, sikurse edhe politika, jemi edhe ne qytetarët ku më shumë e ku më pak. Intervenojmë për t’i regjistruar fëmijët në kopsht, për t’i regjistruar te filan mësuesja, intervenojmë për t’u kontrolluar te mjeku, intervenojmë në komunë, intervenojmë për të mos pritë në rend, intervenojmë për gjithçka. Ky është ai mentaliteti i interesit që duhet të ndërrojë rrënjësisht në shoqëri përpara se të krijohet delli për rezistencë ndaj interesit industrial që e ka instaluar kasta politike.

Kosova Post: Hendeku që e ndanë këtë të fundit me pjesën më të madhe të shoqërisë, duket i thellë edhe në rrafshin kulturor, kush mendon që i ka fajet, si u bë që kjo kastë të instalohet kaq gjatë në pushtet?

Ibrahimi: Sistemet politike në kohërat moderne nuk i mban më dhuna e drejtpërdrejtë fizike. Tashmë ekziston një mënyrë më perfide e instalimit të regjimeve si ky yni. Simulimi i kinse një lirie të shprehurit, por kufizimi për temat për të cilat mund të flitet, përdorimi i premtimeve për temat e ndjeshme kombëtare për të cilat populli ka hequr apo ëndërruar me dekada të tëra, kontrollimi marramendës i medies dhe shoqërisë civile, janë disa nga arsyet se si ka pasur mundësi që kaq gjatë të mund të mbijetojë kjo kastë e degraduar e politikanëve.

Kosova Post: Z. Ibrahimi, përveç si profesor, ju njiheni edhe për përkushtimin tuaj ndaj fesë. Ti ke qenë i përfshirë disa herë në diskutimet rreth raportit të fesë dhe institucioneve zyrtare, a të duket që konceptet si laicizmi dhe sekularizmi janë keqkuptuar?

Ibrahimi: Feja është një ndër konceptet më të keqpërdorura në shoqërinë kosovare të pasluftës. Keqpërdoret nga shteti, keqpërdoret nga arsimi, nga partitë politike, keqpërdoret nga fetarët, me një fjalë të gjithë, ku më shumë e ku më pak, synojnë që nëpërmjet saj të përfiton diçka. Institucionet shtetërore e kanë zhvilluar një politikë të orkestruar mirë të trajtimit segregues në rrafshin politik, kulturor, social e gjyqësor karshi shqiptarëve muslimanë. Kjo ka filluar në fakt qysh në sistemin e kaluar monist ku për mbajtjen në këmbë të aparatit shtetëror është dashur të krijohet një armik për popullin nëpërmjet të cilit në kulturë, kinematografi, letërsi, politikë e bile edhe shkencë u anatemua një pjesë bukur e mirë e së kaluarës historike e shqiptarëve, bashkë me përkatësinë fetare të shumicës së tyre. Feja është përdorur edhe për të kamufluar problemet e vërteta të shoqërisë kosovare e që janë korrupsioni, degradimi i sistemit arsimor, ekonomia e stërvjedhur, duke krijuar dhe stërmadhuar probleme fetare, kryesisht muslimane. Në këtë kontekst është edhe keqkuptimi i shtetit por edhe i një mase të madhe të elitës së ashtuquajtur intelektuale që e trajton sistemin sekular të organizimit të shoqërisë si sistem antifetar. Njëjtë si të gjitha identitetet e tjera të shoqërive moderne, feja në sistemin sekular e ka rolin e vet pozitiv. Sistemi sekular vetëm siguron që të gjitha fetë, madje edhe kombet e kategoritë e tjera shoqërore do të trajtohen njëlloj. Në Kosovë kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur. Edhe në rrafshin kulturor shteti vazhdon padrejtësisht ta anatemojë dhe shpërfillë të kaluarën dhe të tashmen shqiptare nëse ka çfarëdo ngjyrimi fetar musliman. Nga letërsia vazhdojnë të përjashtohen dhunshëm bejtexhinjtë si poetë anakronikë, historiografia vazhdon me nge ta ushqejë stereotipin e fajtorit musliman, për ngjarje të kaluara e të tashme historike duke synuar kështu krijimin e një shqiptari artificial, për interesa dhe teka të dikujt. Ky dhunim kulturor pastaj krijon terrenin e përshtatshëm për funksionimin e miteve e përrallave të kaluara e të tashme të cilat e mbajnë shoqërinë larg realitetit.

Kjo është shtresa e parë e dhunshme e jotolerancës në Kosovë. Kësaj duhet shtuar pastaj edhe qasjen gati intuitive në shoqërinë tonë të mostolerancës së tjetrit, përfshirë edhe atë të rrafshit fetar. Katolikët nuk i durojnë muslimanët, që të dy palët nuk i durojnë ortodoksët, këta të fundit nuk e durojnë asnjërin, katolikët i shikojnë me dyshim protestantët, muslimanët bile nuk e tolerojnë as vetveten, me një fjalë secili kundër secilit. Nën petkun e ‘tolerancës fetare’ të proklamuar në mënyrë paushalle në fakt fshihet një mosdurim i të gjithëve ndaj të gjithëve kur flasim për fenë. Përralla për tolerancën e shoqërisë kosovare tingëllon mirë, por për ta kapërcyer hendekun e problemeve të ndërlidhura me tolerancën dhe fenë është mirë që t’i identifikojmë saktë problemet në qoftë se duam t’i trajtojmë ato suksesshëm, në vend që t’i mbajmë të kamufluara nën dysheme.

Kjo gjendje kaotike identitare, ekonomike dhe kulturore, e ka bërë të mundshëm pastaj krijimin e një klase të klerikëve fetarë dhe klerikëve intelektualë të cilët duke e ushqyer shoqërinë me mite, përralla, legjenda e bile edhe rrena, e kanë anatemuar dhe dhunuar akoma më shumë fenë dhe e kanë zhveshur nga ndikimi pozitiv në shoqëri. Në njërën anë kemi klerikët katolikë që i mësojnë grigjat se rruga për në parajsë është më e lehtë duke u ushqyer me mitin e supremacisë katolike dhe inferioritetit musliman në vend që të predikojnë për sakrificën e mendjemadhësisë në këtë rast ndaj vëllait siç sakrifikonte Krishti, gjithçka për të tjerët. Krishti dhe besimtarët e tij u bënë një me Atin vetëm kur e mundën egon e tyre nëpërmjet refuzimit të premtimeve boshe të Satanës. Në anën tjetër kemi klerikë muslimanë që merren me xhindë, milimetra, ngjyra, harame dhe vetëm harame, apo problemet e akëcilës krahinë të botës së përtejme përpara se të merren me problemet e vërteta që i kanë përpara hunde. Na flasim për madhështinë e tolerancës së Islamit, kurse në të njëjtën kohë nuk lanë mundësi pa shfrytëzuar pa na trembur nga ‘shiat e fëlliqur’, ‘ahmeditë e rrezikshëm’, ‘vehabitë e tmerrshëm’, ‘menhexhet e grupet e haramit’ etj. Ku mbeti profeti Muhamed që u bë i madh vetëm duke e parë veten të vogël? Ku mbeti mëshira e dashuria e Zotit për njeriun që ai e instaloi në gjësendet e vogla të përditshmërisë?
Natyrisht se ka edhe shembuj për të mirë por pa i identifikuar dhe marrë me këto probleme nuk besoj se do të mund ta kthejmë rolin pozitiv të fesë në shoqëri e as nuk do të mund ta ndërrojmë qasjen anatemuese të shtetit karshi fesë.

Kosova Post: Në këtë kontekst kulturor, social dhe për më tepër politik, cila është detyra jonë si qytetar?

Ibrahimi: Detyra jonë si qytetarë është t’i mbajmë nën vëzhgim partitë politike, shtetin, institucionet e ndryshme. Detyra jonë është t’i ndëshkojmë ato kur nuk veprojnë sipas detyrës së paracaktuar e aq më tepër kur e keqpërdorin atë. Detyra jonë është të lobojmë për të sjellë në pushtet ata njerëz apo forca politike të cilat do ta ngrisin një sistem të denjë arsimor, një ekonomi të qëndrueshme e larg korrupsionit. Në fakt faji i sistemit politik nuk e largon nga përgjegjësia apatinë dhe neglizhencën e qytetarit sepse në fund të fundit sistemet e tilla i mban gjallë qytetari ose duke i votuar ose duke mos i ndëshkuar kur veprojnë dëmshëm për interesat e popullit.

Kosova Post: Për fund, a e shihni të nevojshme lindjen e një lëvizjeje apo partie të re politike?

Ibrahimi: Partitë e deritanishme shqiptare, pa asnjë përjashtim kanë vepruar me kutin e interesave personale, vjedhjes, korrupsionit, degradimit të shtetit dhe zhvleftësimit të dinjitetit të qytetarit. Këto ditë me ngjarjet spektakulare në VV po përjetojmë periudhën e fundit të partive politike të pasluftës. Besoj se është koha që të kuptojmë përfundimisht se politika dhe partitë e këtyre dy dekadave të fundit ishin të gjitha të të njëjtit kallëp, një ‘fast food’ i dëmshëm për shoqërinë që i dha teposhtëzën këtij vendi.
Ka shumë nevojë por pak shpresë për lindjen e një partie që do të pushojë së përdoruri për përfitime politike luftën apo rezistencën paqësore, për një parti që nuk ndërton kulte personaliteti apo përralla kombëtare për konsum të shpejtë, për një parti që lobon për interesat e shoqërisë e jo të fiseve të krijuara ekonomike. Është koha që Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin, epopetë e luftës e të paqes, bashkimet e mëdha të shqiptarëve mitikë ti lëmë për një kohë në përjetësinë e tyre të qetë. Mjaftueshëm ua kemi lëkundur eshtrat vend e pa vend. Në vend të kësaj është koha që të merremi me problemet e mëhallës, me bërllokun, shkollat, ujin, pazaret, arat, ndonjë libër aty këtu, me gjykatat, policinë, arsimin. Mbase është momenti i fundit që kjo të ndodhë!/Kosovapost/

You may also like

Edhe Jakup Krasniqi del kundër Thaçit

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka